Kombetarja

Kuqezinjtë jashtë merkatos së dimrit, interes vetëm për Baren e Kumbullën

Kjo merkato dimri duket më e vakët se kurrë për futbollistët e Kombëtares shqiptare. Interesimi për kuqezinjtë është i ulët për arsye të ndryshme. Shumë prej tyre janë të stabilizuar me skuadrat ku bëjnë pjesë, por shumë të tjerë janë larg formës optimale dhe tregu për ta është shumë i varfër.

Lojtarë titullarë të formacionit të trajnerit Reja, si portierët Strakosha dhe Berisha, janë stabël me ekipet e tyre, Lacion dhe Spalin në Serinë A. Po ashtu, edhe mbrojtësit Gjimshiti e Veseli kanë zënë vend mirë në formacion dhe nuk janë nxjerrë në shitje nga Atalanta dhe Empoli. Në këto pozita janë edhe lojtarë të tjerë të Kombëtares si Klaus Gjasula, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi e Ledian Memushaj, pavarësisht se ky i fundit ka pasur kontradikta së fundi me trajnerin e tij te Peskara.

Marash Kumbulla feston një gol me Veronën. Gazeta Si, 7 janar 2020

Ndryshe nga çdo seksion tjetër i merkatos, këtë herë ka fare pak interes për Elseid Hysajn, mbrojtësin e Napolit që gjithmonë është përfolur për kalimin në skuadra të tjera, në Spanjë apo Angli. Shkodrani mbetet te Napli dhe ndaj Interit ishte titular, por zhgënjeu me paraqitjen e tij, çka do të thotë se me këtë formë nuk mund të “peshkohen” klubet e tjera për ta blerë.

Interesimi më i madh sa u takon kuqezinjve ëhstë për mbrojtësin e Veronës, Marash Kumbulla dhe mesfushorin e Malagës, Keidi Bare. Për të parin janë në garë klubet më të mëdha të Serisë A dhe shitja e tij është vetëm çështje kohe. Me siguri në verë Kumbulla do të veshë një fanellë shumë më prestigjioze e se ajo e Veronës. Bare është nxjerrë në shitje nga Malaga për shkak të problemeve ekonomike të klubit, por ofertat e deritanishme janë të ulëta, deri në 500 mijë euro, kështu që futbollisti fierak nuk mund të lëvizë për momentin. Edhe mbrojtësi Ardian Ismajli ka pasur oferta për të lënë Hajdukun e Splitit dhe për të kaluar në një kampionat më të fortë se ai kroat.

Eros Grezda drejt rikthimit tek Osijeku. Gazeta Si, 7 janar 2020

Sulmuesi Armando Sadiku, i cili luan gjithashtu te Malaga, po aktivizohet rregullisht dhe po shënon, por nuk është në shitje. Rei Manaj, një tjetër kuqezi “spanjoll”, pritet të lërë Albaceten dhe të kalojë te Barcelona B, në kategorinë e tretë. Kurse Eros Grezda, jashtë Kombëtares me trajnerin Edi Reja, pritet të zyrtarizojë rikthimin te Osijeku, duke i dhënë fund aventurës së dështuar te Gllasgou Rejnxhërs. Hap prapa në karrierë për një nga sulmuesit anësorë më të talentuar në këto vitet e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë