Kombetarja

Kuqezinjtë e Euro 2016 duhet të kthejnë pasaportat diplomatike deri ne 30 qershor

Pasaportat diplomatike për kombëtaren do të jenë të vlefshme deri më 30 qershor të 2021. Ky është vendimi i nxjerrë së fundmi nga ana e Qeverisë, e cila pas kësaj date i nxjerr të paligjshme këtë dokument që mbahet kryesisht nga zyrtarët e lartë të shtetit që nga presidenti, kryeministrat apo dhe deri tek ato më vegjlit.

Për t’i dhënë fund abuzimeve më dhënien e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, qeveria ka vendosur gjithashtu që të shfuqizojë të gjitha vendimet e dhënë që nga 1997 e këtij, vit që ka zanafillën edhe VKM-ja e miratuar nga qeveria socialiste e kryeministrit Fatos Nano, “Për lëshimin e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit”.

Në ditën kur përfaqësuesja kuqezi do të luante sfidën kundër San Marinos, në Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i kujton Federatës Shqiptare, që të gjitha subjektet e saj që janë pajisur me pasaportën diplomatike, duhet ta dorëzojnë atë brenda afatit, që është data 30 qershor I këtij viti.

Në letrën e dërguar bëhet e ditur se futbollistët e kombëtares dhe delegacioni i saj u pajisën, me pasaportë diplomatike pas VKM të datës 23 qershor të vitit 2016, pra menjëherë pas përfundimit të aventurës në Kampionatin Europian, por me një tjetër VKM të datës 12 qershor të vitit 2019, këto subjekte nuk cilësohen më si kategori që e gëzojnë këtë të drejtë.

Në qershor të vitit 2016, kryeministri Edi Rama do të pajiste të gjithë lojtarët e kombëtares së futbollit me pasaporta diplomatike, përpara se ata të shkonin në Kampionatit Europian. Kjo do të shihej edhe si moment vlerësimi për ekipin që u kualifikua për herë të në këtë kompeticion evropian.

“Presidenti, zëvendëspresidenti dhe sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbolli, pjesëmarrës në Kampionatin Evropianë Futbollit 2016; Trajneri, zëvendëstrajnerët, trajneri i portierëve dhe menaxheri i Ekipit Kombëtar të Futbollit, pjesëmarrës në Kampionatin Evropian të Futbollit 2016; Futbollistët e Ekipit Kombëtar të Futbollit, pjesëmarrës në Kampionatin Evropian të Futbollit 2016 pajisjen me pasaporta diplomatike" thuhej në vendimin e qeverisë Rama.

Pas lajmit për heqjen e pasaportave diplomatike për lojtarët dhe stafin e ekipit të kombëtares së futbollit që mori pjesë në Euro 2016, ka reaguar ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka e cila ka shpjeguar përse futbollistët duhet të dorëzojnë këto dokumente.

Xhaçka shprehet se ashtu si çdo dokument dhe pasaportës diplomatike i përfundon afati i përdorimit. Sipas ministres po bëhet “shumë zhurmë për asgjë”, pasi “Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi.

Xhaçka thekson se megjithëse lojtarët do të duhet të dorëzojnë pasaportat e marra deri më 30 qershor, asnjëri nuk humbet statusin e fituar 5 vite më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë