Futboll

Kupë e përbashkët Shqipëri-Kosovë, tani nuk është vetëm një ide

Shqipëria dhe Kosova mund të kenë një kompeticion të përbashkët në futboll shumë shpejt, ndoshta që vitin e ardhshëm. Nuk është thjesht një ide apo dëshirë. Sinjali i qartë vjen nga një zyrtar i Federatës së Futbollit të Kosovës, nga sekretari i përgjithshëm i saj, Eroll Salihu, i cili pohon se pas projektit në letër, do të bëhen hapa konkretë.

"Po, jemi duke shqyrtuar mundësinë për të pasur një sistem Kupe të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kemi biseduar edhe me përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit. Mendoj se ka ardhur koha të bëjmë diçka konkrete për bashkimin e futbollit shqiptar. E kemi diskutuar dhe besoj se do të jetë diçka e mirë, do të edhe ketë benefite materiale, sepse do të kemi sponsorë të ndryshëm. Besoj se vitin e ardhshëm do të ketë risi. Ekipet e Superkupës mund të luajnë mes tyre”, - ka thënë për gazeta “Exspress” drejtuesi i Federatës së Kosovës, Salihu.

Eroll Salihu, sekretari i përgjithshëm e Federatës së Kosovës. Gazeta Si, 17 gusht 2019

Një ide interesante, që me siguri do të mirëpritej nga tifozët shqiptarë. Më parë është hedhur edhe ideja për të pasur një ekip kombëtar të përbashkët, sepse kjo është dëshira e të gjithë shqiptarëve dhe vetë futbollistëve, por për momentin të paktën duket e pamundur të realizohet diçka e tillë. Ndryshon puna me kompeticionin e Kupës së ideuar së fundi, që duket e realizueshme. Kohët e fundit është rritur shumë numri i futbollistëve që kalojnë nga një kampionat te tjetri, nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas. Deri tani në Shqipëri është organizuar vetëm “Kupa Pavarësia”, ku marrin pjesë 4 skuadra nga të gjitha trevat shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë