Futboll

Kupa e Shqipërisë, si “ngushëllim” për Tiranën dhe Skënderbeun

Koha e bilancit është shumë afër. Kanë mbetur pak javë nga mbyllja e sezonit dhe çdo skuadër bën llogaritë e veta. Te Tirana dhe Skënderbeu llogaritë e kampionatit nuk dalin dhe sezonin e tyre mund ta shpëtojë vetëm Kupa e Shqipërisë. Kampionët në fuqi të Skënderbeut janë larg kreut dhe për momentin janë jashtë zonës europiane, ndërsa për Tiranën punët kanë shkuar edhe më keq, pasi ekipi kryeqytetas është sërish nën ethet e rënies nga Superiorja.

Luhen sot dy ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ku çifti më interesant konsiderohet Kukësi-Skënderbeu, që do të zhvillohet në stadiumin e Kamzës. Kukësi mund të shkojë në Europë me anë të vendit të dytë në kampionat, por presidenti Safet Gjici njihet për “fiksimin” e tij për trofe dhe do t’i kërkojë skuadrës me çdo kush kalimin në finale dhe fitimin e Kupës. Trajneri Ernest Gjoka ka shumë mungesa për ndeshjen e parë dhe këtu mund të përfitojë Skënderbeu. Kukësi nuk do të ketë në dispozicion lojtarë me peshë si Shameti, Uilliam Kordeiro, Rama, Maliqi, Dzaria e ndonjë tjetër. Gjithsesi, janë dy ndeshje për t’u luajtur dhe gjithçka do të jetë e hapur për këtë çift, që duket më i balancuar.

Nga një ndeshje mes Tiranës dhe Luftëtarit në kampionat

Në çiftin tjetër, Luftëtari-Tirana, kryeqytetasit nisen favoritë në letër. Luftëtari është ekipi që bëri surprizën në çerekfinale, duke eliminuar Partizanin, kështu që nuk duhet nënvlerësuar, aq më tepër që është në formë mjaft të mirë sportive. Interesant është fakti që këto dy skuadra nuk e kanë siguruar qëndrimin në Superiore dhe një sy e kanë nga kampionati, madje vëmendjen më të madhe e kanë në këtë kompeticion. Të dyja skuadrat, që ndeshen sërish në Gjirokastër në fundjavë për kampionat, janë të shkëputura nga Kastrioti rival në kampionat, por gjithçka ndodh dhe kuptohet që duhet siguria matematikore. Më parë se të pretendojë Kupën e Shqipërisë për të shkuar në Europë, Tirana duhet të sigurojë qëndrimin në elitë, sepse një rënie e dytë do të ishte tragjedi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë