Futboll

Kupa e Botës mbërrin në Tiranë, vizitë njëditore në kryeqytet

Gazeta Si - Kupa e Botës ka mbërritur në Shqipëri. Trofeu i kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik në botë vjen në Tiranë si pjesë e një turi që po bën në vende të ndryshme.

Ky turne zhvillohet në prag të Botërorit të Katarit, që nis në muajin nëntor. Një nga vendet e përzgjedhura për rrugëtimin e trofeut të lakmuar është edhe Tirana.

Kupa e botës. Gazeta Si, 22 maj 2022

Ndodh për herë të parë në Shqipëri që të vijë Kupa e Botës. Ajo do të qëndrojë vetëm një ditë në vendin tonë dhe kuptohet që do të shoqërohet nga masa të forta sigurie.

Pjesë e delegacionit që shoqëron trofeun është ish-kampioni i botës me Brazilin, Zhilberto Silva. Ai është ambasador i FIFA-s. Po ashtu, pjesë e këtij delegacioni është edhe ish-kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana.

Do të ketë një ceremoni me këtë rast në kryeministri, në orën 14:00, ku të pranishmit janë të përzgjedhur tashmë. Gjatë pasdites trofeu i Kupës së Botës do të largohet nga Tirana.

Ture të tilla të shëtitjes së trofeut FIFA i organizon shpesh gjatë viteve, kur luhen Botërorët. Këtë herë vendosi të futë në listë edhe Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë