Futboll

Kumbulla mund Berishën, titullar para finales së Tiranës

Gazeta Si - Një nxemje e mirë para finales së Tiranës me Fejnordin. Roma e Marash Kumbullës fitoi 0-3 në fushën e Torinos, duke e mbyllur kampionatin me 38 pikë. Skuadra e Mourinjos ka siguruar Ligën e Europës, ndërsa duelin e kuqezinjve e fitoi Kumbulla.

Berisha pëson gol nga Abraham. Gazeta Si, 20 maj 2022

Etrit Berisha është detyruar ta nxjerrë tri herë topin nga rrjeta në ndeshjen me Romën. Dy herë portieri i Kombëtares është mposhtur me penallti, nga Abraham dhe Pelegrini. Sulmuesi anglez shënoi edhe golin tjetër për Romën.

Ndeshjen e nisi titullar edhe Marash Kumbulla. Këtë herë ai qëndroi 90 minuta në fushë dhe u pozicionua në qendër të prapavijës me 3 lojtarë. Mbrojtësi kuqezi bëri një paraqitje të mirë dhe në një rast iu afrua golit me kokë.

Aktivizimi i sotëm do të thotë se Mourinjo me shumë mundësi nuk e llogarit titullar Kumbullën të mërkurën në “Air Albania”. Gjithsesi, mbrojtësi është i gatshëm dhe ndaj Fejnordit mund të ketë minutat e tij, në varësi të ecurisë së ndeshjes.

Roma është ngjitur në vend të 5-të me këtë fitore. Ajo ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës, pavarësisht rezultateve të rivalëve në ndeshjet e fundit. Finalja e Ligës së Konferencës në Tiranë bëri që ndeshja e Romës në kampionat të luhej para të rjerave.

Tani Mourinjo dhe Kumbulla mund të përqendrohen te sfida e javës së ardhshme në “Air Albania”. Kjo fitore e ngre më shumë moralin e verdhekuqve para finales me Fejnordin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë