Kombetarja

Kumbulla modest: Nuk jam unë lideri. Uzuni: Uroj të jem vendimtar!

Në konferencën për shtyp kanë dalë sot dy nga futbollistët më në formë të Kombëtares, mbrojtësi Marash Kumbulla dhe sulmuesi Myrto Uzuni. I pari vjen pas kalimit të Roma dhe dy ndeshjeve si titullar, ndërsa i dyti pas shkëlqimit me Ferencvaroshin dhe kalimit në grupet e Ligës së kampionëve me ekipin hungarez.

Që të dy pritet të jenë titullarë ndaj Kazakistanin, aq më tepër duke ditur mungesat e shumta që ka trajneri Edi Reja. Kumbulla shpreson të luajë dhe ndihmojë Kombëtaren, ndërsa me modesti deklaron se ka të tjerë që mund të bëjnë liderin në radhët e kuqezinjve para tij. “Me rëndësi është që Kombëtarja të fitojë dhe të luajë mirë në këto ndeshje. Problemet e mbrojtjes edhe pse ka lojtarë të Serisë A? Besoj se nuk është vetëm problem i mbrojtjes, është i gjithë skuadrës, por them se do të përmirësohemi.

Kumbulla në dyluftim me Moratën. Gazeta Si, 6 tetor 2020

Nuk e di a do të jem titullar apo jo, sepse zgjedhjet i bën trajneri. Unë jam gati të luaj, ta ndihmoj Kombëtaren. E thashë, rëndësi ka fitorja, me mua apo pa mua. Jam mbrojtësi më i ri dhe nuk jam unë ai që do të bëj liderin, janë Berati, Dermaku, të cilët kanë më shumë kohë në Kombëtare dhe mund ta bëjnë ata liderin. Takimi me Kielinin? Ndërrova fanellën me të, sepse është idhulli im. Ai më tha “bravo” për zgjedhjen që kam bërë, duke kaluar te Roma.

Kam biseduar me trajnerin Reja, por asgjë specifike. Kemi folur që të stërvitem fort dhe të respektoj rregullat. Mungesat e shumta? Edhe ne te rinjtë që jemi këtu, kemi qetësinë dhe kemi karakterin për të përballuar këto ndeshje. Ne duam të fitojmë gjithmonë, këtë e duan edhe të tjerët, por ne duhet të bëjmë punën tonë. Përpara mendojmë Kazakistanin, që është ndeshja e parë. Duhet ta kalojmë këtë ndeshje me sukses dhe trajneri flet vetëm për këtë ndeshje, jo për Lituaninë”, - tha Kumbulla mes të tjerash.

Uzuni: Golat më motivojnë, uroj të jem vendimtar
Myrto Uzuni shpreson që të jetë vendimtar edhe për Shqipërinë, ashtu siç ka bërë së fundi me Ferencvaroshin. “Kam shënuar dy gola me vlerë me ekipin tim, por tani është koha për Kombëtaren dhe të gjithë bashkë duhet të japim maksimumin për rezultate pozitive. Normalisht, kur vjen në Kombëtare, ke një ndjesi të veçantë. Golat më japin më shumë motivim dhe shtysë për të dhënë diçka më shumë.

Myrto Uzuni, në stërvitje me Kombëtaren. Gazeta Si, 6 tetor 2020

Trajneri Reja më uroi për golat dhe paraqitjet që kam bërë me klubin, pasi ata ndjekin gjithçka. Forca më vjen nga sakrificat që kam kaluar, vlerësoj çdo stërvitje dhe çdo ndeshje për të dhënë më të mirën në fushë. Puna ime është të shënoj sa më shumë gola, në Kombëtare vendos trajneri dhe unë jam i lumtur që jam këtu. Më mirë ndihem me Baren dhe Manajn, sepse njihemi që te Shpresat dhe merremi vesh më mirë. Premtoj që do të jap më mirën time. Uroj të jem vendimtar edhe për ekipin kombëtar”, - ka theksuar Uzuni në konferencë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë