Futboll

Kumbulla debuton me sukses, Berisha më i miri i kuqezinjve të Serisë A

Katër futbollistë të Kombëtares së Shqipërisë zbritën në fushë nga minuta e parë mbrëmjen e së dielës, në javën e parë të Serisë A. Si kurrë më parë, 4 kuqezinj të nivelit më të lartë të futbollit italian ishin titullarë në të njëjtën kohë me skuadrat e tyre. Portierët Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha, si dhe mbrojtësit Berat Gjimshiti dhe Marash Kumbulla e kanë nisur mirë sezonin në aspektin personal, por edhe atë ekipor, përveç të parit, që u mund nga ish-skuadra e tij. Të gjithë luajtën 90 minuta dhe janë vlerësuar nga shtypi italian.

Për t’u veçuar është mbrojtësi i Veronës, Marash Kumbulla. Lojtari 19-vjeçar luajti një ndeshje të mirë në barazimin 1-1 me Kaljarin, duke e justifikuar besimin e trajnerit. Vlerësimet për të ishin pozitive, duke ditur që Verona luajti thuajse gjithë ndeshjen me 10 vetë. Kumbulla, i vlerësuar me notën 6.5, ka bërë kështu një debutim të suksesshëm në Serinë A. Bashkë me të, titullar me skuadrën e rikthyer në Serinë A ishte edhe mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, edhe ai i vlerësuar me notën 6.5 nga shtypi italian. Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, e ka pasur në listë herën e fundit mbrojtësin Kumbulla dhe për ndeshjet e radhës me siguri ai do të jetë pjesë e kuqezinjve, madje pritet edhe të luajë.

Berisha pëson një gol në ndeshjen Spal-Atalanta, 2-3. Gazeta Si, 26 gusht 2019

Notën më të lartë nga 4 kuqezinjtë që luajtën të dielën e ka marrë portieri Etrit Berisha, i cili, sipas medieve italiane, pavarësisht humbjes 2-3 të Spalit ndaj Atalantës, ishte më i miri në fushë. Berisha bëri disa pritje të bukura dhe është vlerësuar me notën 7, megjithatë nuk arriti ta shmangte humbjen përballë ish-skuadrës së tij. Në anën tjetër, mbrojtësi Berat Gjimshiti i Atalantës luajti 90 minuta dhe paraqitja e tij është vlerësuar me notën 6.5. Për momentin, është një nga shtyllat e kësaj skuadre në mbrojtje, ashtu si sezonin e kaluar, por me ardhjen e Martin Skërtel në merkaton e verës ndihet i kërcënuar.

Tomas Strakosha ishte më shumë spektator në fitoren 0-3 të Lacios në transfertën me Sampdorian. Portieri kuqezi ka marrë notën 6.5, pasi ka qenë në lartësinë e duhur në rastet e rralla që është vënë në provë. Një tjetër kuqezi që luan në Serinë A është mbrojtësi shkodran, Elseid Hysaj, i cili luajti vetëm 6 minuta në fitoren 3-4 të Napolit në Firence, duke u bërë protagonist në episodin e penalltisë së paakorduar ndaj Riberi. Ka qenë me fat Hysaj, sepse ajo penallti mund t’i hiqte fitoren Napolit. Mbrojtësi që është diskutuar gjatë gjithë verën se do të ndërrojë skuadër, ka humbur shumë kuota sa i takon pozicionit të titullarit. Emanuele Ndoj, mesfushori që aktivizohet me Breshian, nuk luajti javën e parë për shkak dëmtimi. Skuadra e tij fitoi 0-1 në transfertë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë