Ekonomi

Kumbaro: Turistët i sollën Shqipërisë 3.2 mld euro në vitin 2023

Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë bilancit të sektorit të turizmit, ndërsa deklaroi se Shqipëria është vizituar nga turistë prej të gjithë kontinenteve, ministrja Mirela Kumbaro theksoi se në vend kanë hyrë 3.2 mld euro.

“Kemi patur përfaqësim gjeografik nga të gjitha kontinentet. Europa mban peshën kryesore të flukseve. Kemi patur turistë nga të gjithë kontinentet. Të gjitha vendet kanë patur përfaqësuesit e tyre.Megjithatë si trende më interesante të vitit që shkoi ishin flukset e turistëve spanjollë, holandezë e italianë.Turistët spanjollë, kanë qenë të rrallë deri dy vite me parë në Shqipëri por tani kemi një rritje me 92% të vizitorëve.

Kjo lidhet me përshtypjet e mira që kanë patur por edhe me faktin e kompanive të huaja në Shqipëri. Holandezët janë rritur me 35%, italianët me 56 %, anglezët 42 %, gjermanët 66 %, turqit janë rritur po ashtu. Mbetet solid turizmi nga rajoni, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut”, deklaroi Kumbaro ndërsa shtoi se janë rritur edhe netë qëndrimet.

“Është rritur mesatarja e netë qëndrimeve, nga 3-4 që ishte dy vite me parë, gjatë 2023-shit u shënuan 6 netë qëndrime për turistët”, u shpreh ajo ndërsa shtoi se Shqipëria është shumë afër realizimit të turizmit gjithëvjetor.

Kumbaro tha se flukset më të mëdha të vizitorëve janë të përqendruar në bregdet, prandaj gjatë këtyre viteve është vendosur një standard i ri në lidhje me aplikimet, menaxhimin dhe pastërtinë.

“Është rritur sipërfaqja e detyrueshme e plazheve publike në çdo bashki në 30%, në disa raste edhe 50%. Aplikimet për menaxhimin e parcelave të plazheve për vitin 2024 janë përmbyllur në vitin 2023.

Në total 1917 aplikime që po shqyrtohen dhe brenda marsit lidhen kontratat mes bashkive, Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe subjekteve. Theksoj që të gjitha të ardhurat, u kalojnë bashkive. Në lidhje me pastrimin, vazhdojmë operacionin “Plazhe të pastra”, vitin 2022 e nisëm me dyfishimin e frekuencës pastruese në vijën bregdetare të Durrësit, Kavajës, Himarës e Sarandës.

Në vitin 2023 shtuam Rogozhinën dhe Vlorën dhe për vitin 2024 numri i bashkive që do të mbështeten me një operator suplementar nga AKB, nga qershori deri në shtator, shkon në 8, sepse shtohen në këtë skemë Shkodra me plazhin e Velipojës dhe plazhet e Lezhës.Janë tashmë 107 operatorë të turizmit detar të certifikuar", u shpreh Kumbaro në lidhje me përgatitjet për vitin 2024 ndërsa theksoi se turizmi elitar është shumë i domosdoshëm pasi sjell më shumë të ardhura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë