Futboll

Kukësi streson Tiranën, Flamurtarit i ikën fitorja në minutën e fundit

Partizani e bëri të vetën në ndeshjen me Kastriotin, nuk lejoi që krutanët të fitonin, por Tirana e çoi dëm këtë “nder” dhe nuk mundi të merrte asnjë pikë në ndeshjen me Kukësin. Dy golat e sulmuesit Vasil Shkurtaj bënë që Kukësi të fitonte në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe pas javës së 30-të të jetë 10 pikë pas Partizanit kryesues. Titulli mbetet një ëndërr, por kjo fitore i mban me shpresë kuksianët. Në anën tjetër, shtohet stresi për Tiranën, edhe pse diferenca me Kastriotin është 5 pikë.

Minimimalisht, skuadra e trajnerit Ardian Mema, që luante pa tifozë për shkak të dënimit nga Disiplina, nuk duhej të mundej në fushën e saj, por gaboi rëndë në mbrojtje dhe situata e mbijetesës në Superiore mbetet e njëjtë. Tirana ka kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, madje ishte me fat në shortin që e vë përballë Luftëtarit, por më parë duhet të sigurojë qëndrimin, për të mos përsëritur dramën e dy sezoneve më parë. Këtë herë, trajneri Mema nuk është ankuar për rezultate “të çuditshme” pas ndeshjes.

Një rast të mirë ka shpërdoruar Flamurtari, që kishte shansin të regjistronte fitoren e 5-të radhazi në kampionat dhe të mbetej në garë për vendin e dytë. Fati ishte kundër vlonjatëve në ndeshjen me Luftëtarin, ku ata ishin fitues deri në minutat e fundit, por gjirokastritët barazuan, duke i hequr Flamurtarit 2 pikë të çmuara. Trajneri Ilir Daja pranoi pas ndeshjes se Luftëtari e meritoi barazimin, edhe pse u shpreh i keqardhur për faktin që të tijtë ishin aq pranë fitores. Ribaj për Flamurtarin dhe Fili për Luftëtarin ishin autorët e golave. Vlonjatët mund të shkojnë në Europë edhe me vendin e tretë, nëse licencohen, ndërsa gjirokastritët duken gjithmonë e më të sigurt për qëndrimin në Superiore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë