Futboll

Kukësi shpartallon Flamurtarin dhe kap kreun

Kukësi ka fituar thellë 0-3 ndeshjen e fundit të javës së dytë të Superligës përballë Flamuratrit. Verilindorët e Shpëtim Duros ishin superiorë në çdo aspekt nga fillimi deri në fund të ndeshjes ndaj një Flamurtari, ndoshta më i dobëti i viteve të fundit. Kjo fitore e thellë në javën e dytë të kamionatit rikonfirmon edhe një herë tjetër se Kukësi nuk ka ndër mend të lëshojë pe në luftën për titullin kampion këtë sezon.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës nuk pati shumë histori. Vendasit me një ekip modest dukej sikur ishin dorëzuar pa filluar takimi dhe nuk bën aspak rezistencë. Golin e parë miqtë kuksian do e gjenin shpejtë me anë të të zakonshmit, Vasil Shkurtaj, i cili shfrytëzoi në maksimum pasigurinë në mbrojtjen vlonjate.

Edhe pas këtij goli nuk pati ndonjë reagim domethënës nga Flamurtari që në pjesën e dytë do të dorëzohej totalisht. Sërish Shkurtaj në minutën e 63’ kompletoi dopietën e tij personale dhe kapitullimin e vlonjatëve. Por në këtë ndeshje të thjeshtë për Kukësin kishte një vend protagonisti edhe për të rikthyerin në superiore, Kristal Abazaj. Sulmuesi tropojan që hyri në fushë për t’i marrë vendin Gavazajt ngriti një harkim në zonë dhe topi aksidentalisht u dërgua në portë nga Olsi Gocaj.

Tre me zero dhe Kukësi kap kreun e Superligës që pretendon ta mbajë deri në fund, ndërsa te Flamurtari duhet të shqetësohen, pasi ky sezon nuk ka për të qenë aspak i thjeshtë.

Formacionet zyrtare të të dyja skuadrave:

FLAMURTARI: Moçka, Mema, Qarri, Bajraktarevic, Gocaj, Deliaj, Muçollari, Hoxhaj, Rrapaj, Haruni. Trajner: Dritan Sadedini.

KUKËSI: Avdyli, Maliqi, Teqja, Obanor, Kitanovski, Rroca, Limaj, Ethemi, Musta, Gavazaj, Shkurtaj. Trajner: Shpëtim Duro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë