Futboll

Kukësi rimerr vendin e dytë, Laçi ndalet nga Kastrioti

Kukësi ka fituar 3-2 me Kamzën, ndërsa Laçi është ndalur 1-1 në përballjen me Kastriotin, kështu janë mbyllur ndeshjet e fundit të javës së 23-të të Superligës Shqiptare. Të dyja ndeshjet kanë dhuruar emocione të forta dhe gola, edhe pse janë luajtur në fusha asnjanëse për shkak të dënimeve nga Komisioni i Disiplinës. Kukësi edhe pse me vuajtje i ka marrë tre pikët me Kamzën, ndërsa Laçi nuk shkoi më shumë se barazimi përballë një Kastrioti që në këtë fazë të tretë është kthyer në një rrezik serioz për të gjitha ekipet e Supriores.

Në “Niko Dovana” të Durrësit, Laçi kaloi i pari në avantazh, por nuk ia doli që ta mbronte fitoren deri në fund. Kastrioti ashtu siç ka bërë në të gjitha ndeshjet e fundit ka treguar grintë dhe dëshirë të madhe për të mos dalë pa pikë. Për kurbinasit shënoi Fangaj në minutën 11’, ndërsa për Kastriotin barazoi Shehu në minutën 53’. Me këtë fitore Laçi vijon të jetë në vendin e katër në renditje, ndërsa Kastrioti i parafundit në tabelë.

Ndërsa sfida e luajtur në “Elbasan Arena” ishte me më shumë gola. Plot 5 herë u nxor topi nga rrjeta për të dyja skuadrat, por në fund, ai që buzëqeshi ishte ekipi i Armando Cungut, duke hedhur kështu pas krahëve atë humbje të hidhur përballë Teutës javën e shkuar. Për Kukësin, vendimtar në këtë fitore kanë qenë blerjet e merkatos së dimrit, Eduard Rroca, Vasil Shkurtaj dhe Valdet Rama. Të tre futbollistët kanë shënuar tre golat për ekipin e Cungut, duke rezultuar vendimtarë dhe i bën të pavlefshëm golat e Fukuit dhe Martinenës për Kamzën. Me këtë triumf, Kukësi rimerr pozicionin e tij në tabelë, ndërsa Kamza vijon të jetë e fundit dhe me shumë pak shanse për të mbijetuar edhe sezonin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë