Futboll

Kukësi nuk di të përfitojë, rishfaqen hijet e rënies te Tirana

Java e 31-të e Superiores nisi me barazimin Partizani-Laçi ditën e premte dhe vazhdoi me dy barazime të tjera ditën e shtunë. Kukësi barazoi me Teutën pa gola, duke mos përfituar nga ndalesa e Partizanit një ditë më parë, ndërsa Tirana mori një pikë në Gjirokastër, pas barazimit 1-1 me Luftëtarin, një rezultat që rikthen makthet e rënies nga Superiorja, pasi rreziku është shtuar.

Kukësi, me shumë mungesa, nuk mundi të gjente golin e fitores në ndeshjen me Teutën, që u zhvillua në stadiumin e Kamzës. Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka i kishte rastet për shënim, por Rexhinaldo me shokë nuk patën qartësinë për të finalizuar. Diferenca me vendin e parë mbetet 10 pikë dhe shanset matematikore të titullit kampion sa vijnë dhe shuhen për kuksianët. Teuta vinte më e freskët në këtë ndeshje, sepse nuk luajti javën e kaluar me Kamzën, megjithatë nuk arriti të shfrytëzonte këtë faktor. Një ndeshje me shumë kartonë, ku mbrojtësi Bicaj u ndëshkua me dy të verdhë dhe mungon javën e ardhshme.

Në Gjirokastër, Luftëtari dhe Tirana barazuan sërish, ashtu si në Kupën e Shqipërisë pak ditë më parë. Tirana pati mundësinë të fitonte, sepse kaloi në avantazh që në fillim, kur Hasani ktheu në gol një penallti të diskutueshme të akorduar nga kryesori Kridens Meta. Luftëtari barazoi në pjesën e dytë me Donald Rapon dhe arriti të mbrohej me "shpirt nëpër dhëmbë", pasi kundërshtari dominoi, sidomos në minutat e fundit të ndeshjes. Tirana sheh tashmë Kastriotin vetëm 3 pikë pas, që do të thotë se lufta për qëndrimin në Superiore është bërë shumë më e egër dhe e fortë. Ndoshta gjithçka do të vendoset nga ndeshja direkt me krutanët, që Tirana ka fatin ta luajë në fushën e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë