Futboll

Kukësi ngec përballë ‘murit’ të Laçit

Është mbyllur në barazim të bardhë pa gola përballja me Kukësit dhe Laçit e vlefshme për javën e parë të fazës së tretë të Superligës Shqiptare. Vendi i dytë dhe ai i katërt në renditje kanë dhuruar një ndeshje të fortë dhe me grintë përgjatë 90 minutave, por në fund do duhej të kënaqeshin me nga një pikë që asnjërës nuk iu bën punë. Kukësi nuk ka mundur do të ndjekë ritmin e Partizanit që fitoi dje me Skënderbeun dhe tashmë rrezikon edhe vendin e dytë në rast të një fitoreje të Teutës me Flamurtarin.

Pjesa e parë u karakterizua nga një luftë e fortë sportive dhe ndërhyrje të ashpra nga të dyja krahët. Kukësi i shkoi disa herë pranë golit me anë të blerjes së dimrit, Vasil Shkurtaj, por pa mundur dot të konkretizojë siç duhet. Në 45’ minutat e dyta skuadra verilindore, që donte me çdo kusht fitoren, e rriti presionin në portën e Gentian Selmanit, por sërish mungoi konkretizimi në fazën finale. Në 25 minutat e fundit, Kukësi u hodh i gjithi në sulm, por mbrojtja e Laçit u kthye në një kështjellë të vërtetë dhe nuk lejoi asnjë hapësirë në prapavijë.

Me gjithë dëshirën e madhe për ta fituar këtë ndeshje, Kukësi sërish nuk i mori tre pikët nga kjo përballje dhe e shikon kreun e tabelës shumë larg, plot 5 pikë minus. Nga ana tjetër skuadra kurbinase vijon të jetë një kockë e fortë për të gjitha ekipet e Superligës dhe nuk ka ndër mend të dorëzohet për objektivin Europë. Sakaq edhe kjo ndeshje nuk i ka shpëtuar momenteve antisportive, teksa në minutën e 62’-të, arbitri anësor Denis Rexha u godit me sende të forta në kokë nga tifozët e Kukësit. Tre ndeshjet e mbetura të javës së 19-të Kategorisë Superiore do të luhen ditën e diele.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë