Futboll

Kukësi fitore në Antalia, Partizani mposhtet nga Dinamo Zagreb

Me ndeshjet e kësaj të hënë është mbyllur edhe faza përgatitore e dimrit e ekipeve shqiptare në Antalia të Turqisë. Kukësi dhe Partizani, dy ekipet që këto ditë janë përgatitur në Turqi kanë zhvilluar dy ndeshjet e fundit miqësore. Kukësi e ka mbyllur me fitore, duke mposhtu 2-0 Shaktarin e Karagandit. Ndërkohë Partizani është mposhtur në këtë përballje të fundit miqësore nga gjigandët kroat të Dinamos së Zagrebit me rezultatin 2-1.

Në sfidën e fundit të kësaj faze përgatitore, trajneri i Kukësit, Armando Cungu ka hedhur formacionin e tij më të mirë, duke qenë tashmë jemi shumë pranë startit të fazës së dytë të kampionatit. Prurja më fundit e merkatos, Vasil Shkurtaj, ishte ai që gjeti rrugën e rrjetës i pari. Sulmuesi vlonjat shënoi në minutën e 9, ndërsa në fund të pjesës së parë erdhi edhe dyfishimi i avantazhit. Ai që shënoi golin e dytë për skuadrën e Cungut, ishte mesfushori, Çyrbja. Në pjesën e dytë Kukësi bëri disa zëvendësime, por sërish rezultati mbeti i pandryshuar dhe kështu skuadra verilindore largohet me fitore nga Antalia.

Formacioni titullar i Kukësit:
Kukësi: Frashëri, Maliqi, Shameti, Cuculi, Rrumbullaku, Krasniqi, Dzaria, Rroca, Kordeiro, Çyrbja, Shkurtaj. Trajner. Armando Cungu.

Ndërkohë Skënder Gega edhe pse hodhi në fushë formacionin më të mirë të Partizanit, nuk mundi dot të bënte gjë përballë gjigadëve kroat të Dinamos së Zagrebit. Të kuqtë e gjetën të parët golin e avantazhit me anë të Jurgen Bardhit, por ishin të pazotë për ta mbajtur kryesimin, pasi në minutën e 28’ kroatët barazuan. Në minutën e 13’ të pjesës së dytë Dinamo e Zagrebit shënoi edhe golin e dytë, ndërsa Partizani ishte i pafuqishëm për të reaguar. Pasi pësoi golin e dytë, trajneri Skënder Gega preferoi t’i jepte më shumë minuta lojtarëve që gjatë fazës së parë të kampionatit kanë qëndruar në stol.

Formacionet e dy ekipeve në ndeshjen Partizani-Dinamo Zagreb:
Dinamo Zagreb: Livakoviç, Rrahmani, Periç, Moharrami, Leovac, Gjira, Kadzior, Menalo, Moro, Olmo, Petkoviç. Trajner. Nenad Bjelica
Partizani: Hoxha, Trashi, Atanda, Belica, Ibrahimi, Telushi (Çinari 20′), Hila (Rexhepi 46′), Duka (Kardozo 40′, Kalari 87′), Mala (Kote 62′), Asani (Mensah 70′), Bardhi (Hebaj 52′. Trajner. Skënder Gega

Pas këtyre ndeshjeve që shënuan mbylljen e fazës përgatitore në Turqi, Partizani dhe Kukësi do të kthehen në Shqipëri për t’u bërë gati për rifillimin e kampionatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë