Futboll

Kukësi fiton garën me Tiranën, firmos me Abazajn

Kristal Abazaj është lojtari më i ri i Kukësit. Sulmuesi tropojan ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e Kukësit dhe do i bashkohet ekipit të Shpëtim Duros. Ekipi verilindor ia ka kështu të fitojë garën me Tiranën për të bërë të vetin Abazajn, që vjen në formën e huazimit nga belgët e Anderlehtit.

Kukësi e dëshiroi me ngulm Abazajn fill pasi nuk gjeti rrugën për të mbajtur në ekip Valdet Rama. Ky i fundit nuk u bind nga oferta ekonomike e Safet Gjici dhe zgjodhi ta vijojë karrierën në kategorinë e tretë në Gjermani. Kështu që nga ky moment drejtori i Kukësit, Nderim Nexhipi filloi punën për të marrë Abazajn. Kukësi hasi në një duel të fortë nga ana e Tiranës, që gjithashtu e donte tropojanin, por që në fund u dorëzua përballë ofertës ekonomike të nënkampionëve.

Kukësi i ofroi Anderlehtit për huazimin e Abazajt pagimin e një pjesë të rrogës së tij. Nga 20 mijë euro që Abazaj merr te Anderlehti, 8 mijë euro do të paguhen nga Kukësi dhe 12 mijë eurot e tjera do i paguajnë belgët. Në fillim u fol për një ofertë të Kukësit që mund të shkonte deri në 10 mijë euro, por më pas u arrit akordi për 2 mijë euro më pak. Në orët në vijim të ditës së sotme pritet të vijë edhe prezantimi zyrtar nga Kukësi i blerjes më të bujshme të kësaj vere.

Më këtë afrim Kukësi tashmë formon një sulm të frikshëm për Superligën. Abazaj, Gavazaj dhe Shkurtaj pritet të formojnë një treshe sulmi që do të frikësojë çdo ekip të Superligës. Synimi me këtë afrim për Shpëtim Duron do të jetë rikthimi i titullit kampion në Kukës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë