Futboll

Kukësi dhe Laçi dështojnë në Kupë, pa probleme për Teutën

Me plot surpriza dhe gola janë mbyllur 5 ndeshjet e para e kësaj të mërkure të vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Humbja e Kukësit me Apoloninë dhe ajo e Laçit me Bylisin ishin dy rezultatet më befasuese, por edhe triumfi i Vllaznisë përballë Kamzës nuk ishte shumë i pritshëm. Vetëm Teuta dhe Luftëtari nuk kanë dalë nga pritshmëritë, duke fituar me Egnatian dhe Lushnjen.

Në Fier përballja ka rezultuar një malore e vërtetë për kuksianët. Skuadra e Cungut e kishte menduar të lehtë këtë përballje, por fierakët e kishin marrë shumë seriozisht, duke marrë kështu një fitore të befasishme. Me dy gola, një në fund të pjesës së parë dhe një tjetër në fillim të pjesës së dytë, Kukësi ka mbetur i shokuar. Edhe pse do mund të shkurtonte diferencat pak minuta më vonë, sërish ekipi verilindor nuk ia doli që të shmangte humbjen në këtë përballje të parë në 1/8 e Kupës së Shqipërisë.
Jo më pak surprizë ka qenë edhe humbja e Laçit në Ballsh. Bylisi kryesues i grupit të Jugut në Kategorinë e Parë ka fituar në shifrat 2-0. Bylis e zhbllokoi ndeshjen me penallti që në minutën e 8’ dhe arriti ta administrojë shumë mirë këtë përballje, duke shënuar edhe golin e dytë në minutën e 84’, që i jep shanse reale për të kaluar në fazën tjetër të këtij kompeticioni.

Një surprizë e bukur ka qenë edhe fitorja me përmbysje e Vllaznisë me Kamzën. Shkodranët kanë triumfuar në shifrat 2-1. Golit të Kamzës në pjesën e parë, Vllaznia iu kundërpërgjigj në pjesën e dytë me dy rrejta, që tashmë i japin shanse për të avancuar më tej në Kupë. Ndërkohë Teuta e Blendi Shkëmbit i ke evituar surprizat me Lushnjën. 1-3 kanë fituar bregdetarët, që nuk u munduan shumë në këtë përballje, duke hedhur njëkohësisht edhe një hap të sigurt drejt kalimit të raundit. Edhe Luftëtari nuk e pati të vështirë me Egnatian dhe me fitoren 0-3 në Rrogozhinë është me një këmbë në fazën tjetër të Kupës së Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë