Futboll

Kualifikimi vendoset nga penalltitë, policia mbyll ndeshjen

Tension i madh dhe ankth, siç ndodh gjithmonë kur fituesi i një ndeshjeje përcaktohet nga lotaria e penalltive. Penalltinë e parë e gjuajnë vendësit dhe e kthejnë në gol. Shënojnë edhe miqtë në penalltinë e tyre të parë. Tensioni rritet edhe më shumë, por në fushë papritur shfaqet policia dhe detyron arbitrin të mbyllë ndeshjen. Kjo është ajo që ka ndodhur së fundi në Gjermani, në kupën e diletantëve, gjatë ndeshjes Pirates F.C-SV Studernheim. Fusha është boshatisur menjëherë, duke shtangur tifozët.

Pas 120 minutash, duke përfshirë edhe dy shtesat, kjo ndeshje ishte në barazim, 2-2. Kualifikimi duhej të vendosej nga penalltitë, por u gjuajtën vetëm dy të parat, sepse më pas ndërhyri policia. Nga komuna e Frankenthal është shpjeguar më pas gjithçka që ndodhi. “Për të garantuar qetësinë publike, ndeshjet duhet të përfundojnë brenda orës 21:30. Ishte ora 22:00 dhe policia e ndërpreu ndeshjen, sepse ky është rregulli. Ndeshja kishte nisur me vonesë, nëse do të kishte nisur në orarin e caktuar, nuk do të kishte pasur probleme”. Skuadrat e Pirates dhe Studernheim dolën në fushë të dyja me fanellë të zezë dhe u desh pak kohë sa të gjendej një fanellë alternative. Në të kaluarën, banorët e lagjes ku Pirates ka stadiumin, janë ankuar disa herë për britmat që dëgjojnë në mbrëmje vonë, ndaj dhe këtij klubi i është ndaluar t’i përfundojë ndeshjet pas orës 21:30.

Nga një ndeshje e Pirates F.C. Gazeta Si, 23 gusht 2019

Në Gjermani ka një precedent të ngjashëm edhe për një skuadër të Bundesligës, Paderbornin. Tre banorë që jetojnë në lagjen e stadiumit e bënë çështje në 2005-ën zhurmën që vinte nga festa e golave apo fitoreve. Edhe sot ky ekip duhet t’i mbyllë ndeshjet brenda orës 22:00, që do të thotë se nuk e ka autorizimin nga autoritetet vendore për të luajtur në mbrëmje vonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë