Futboll

Kualifikimi në rrezik, vendimtare për Gjermaninë në Belfast

Pas asaj goditjeje të fortë që mori nga Holanda pak ditë më parë, Gjermania duhet të ringrihet sot në mbrëmje në fushën e Irlandës së Veriut, që mban vendin e parë në Grupin C, me 12 pikë. Nuk është se në këtë ndeshje luhet gjithçka sa i takon kualifikimit për në Euro 2020, por është një 90-minutësh mjaft përcaktues.

Sfida që luhet në Belfast, në orën 20:45, duhet kaluar me sukses nga gjermanët, të cilët zhgënjyen ndaj Holandës në Hamburg, duke humbur 2-4. Një tjetër humbje do ta komplikonte së tepërmi situatën në eliminatoret e Europianit, duhet minimalisht barazimi, që Irlanda e Veriut të mos shkëputet më shumë. Gjermania, me 9 pikë, ndjen kërcënimin e Holandës, që ka 6 pikë, por ka një ndeshje më pak se dy rivalët e saj. Holanda luan në Estoni dhe pritet të fitojë, ndaj dhe skuadrës së trajnerit Lëv i duhet të fitojë në Irlandën e Veriut. Nëse Gjermania dhe Holanda barazohen me pikë në fund, favorizohen “tulipanët”. Nga ana tjetër, Irlanda e Veriut mbetet pretendente për kreun, pasi për momentin është 3 pikë para Gjermanisë dhe 6 para Holandës. Skuadra e trajneri O’Nill ka marrë pikë të plota dhe një fitore e mundshme me Gjermaninë do t’ia shtonte shumë shanset për kreun.

Lojtarët e Gjermanisë në stërvitjen e fundit. Gazeta Si, 9 shtator 2019

Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, e ka të qartë se skuadrës së tij i ndalohet gabimi. Ai nuk do të ketë të gatshëm për këtë ndeshje lojtarë si Draksler, Kehrer dhe Sane, kështu që në sulm do të jetë sërish Verner, kurse mesfusha do t’i besohet Toni Kros.

Formacionet e mundshme
Irlanda e Veriut(4-3-3): Pikok; MekLaulin, Flanagan, Braun, Ferguson; Evans, Tompson, Sevill; Uajt, Uashington, Laveri.
Gjermania (4-3-3): Nojer; Klosterman, Zyle, Tah, Ginter; Kimish, Kros, Gundogan; Gnabri, Verner, Stark.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë