Futboll

Kualiarela, ‘plakushi’ që po sfidon Kristiano Ronaldon

Prej më shumë se 17 vite luan në nivelet e larta të kampionatit italian, Seria A, po asnjëherë në rolin e protagonistit. Fabio Kualiarela do duhej të priste moshën 36-vjeçare që të bëhej protagonist dhe pretendent për trofeun e Këpucës së Artë në Itali. Në 17 vite karrierë në pothuajse të gjitha ekipet kryesore italiane, duke filluar që nga Napoli e deri te Juventus, sulmuesi italian nuk shënonte më shumë se 13 gola në sezon dhe gjithmonë ishte një zëvendësues. Një rol të tillë e kishte edhe në kombëtaren italiane, duke mos dalë asnjëherë nga hija që kishte përsipër nga sulmuesit e tjerë.

Por ky sezon që presupozohej të ishte pragu i pensionimit të tij me futbollin profesionist ka rezultuar krejt ndryshe për Kualiarelën. 36-vjeçari deri më tani ka shënuar 20 gola në Serinë A, duke lënë pas vetes të gjithë yjet e tjerë, por mbi të gjitha Kristiano Ronaldon, që kudo ku ka shkuar ka fituar çdo betejë personale. Në fillim Kualiarela theu rekordin e Batistutes për numrin e golave në ndeshje rresht në kampionatin italian, që kishte më shumë se 23 vite që nuk thyhej dhe më pas vijoi të shënonte ndeshje pas ndeshje, duke arritur në këtë pikë. Asnjëherë më parë në karrierën e tij, Kualiarela nuk i kishte shënuar 20 gola brenda një sezoni, duke mos llogaritur faktin që deri në fund janë edhe 9 ndeshje të tjera dhe ai do të ketë mundësinë që të shënojë gola të tjerë. Pas Ronaldos, Kualiarela ndiqet në këtë renditje nga sulmuesi i Milan, Kristof Piatek, Zapata i Atalantës dhe Milik i Napolit.

Por Kualiarela nuk është vetëm një “ujk goli” këtë sezon, pasi në shumë raste ka ditur të jetë në shërbim të ekipit, duke u kthyer mbrapa dhe duke asistuar. Janë plot 6 asiste që ka dhënë sulmuesi italian, duke e renditur atë gjithashtu në mesin e lojtarëve që ka dhënë më shumë pasime finale që kanë prodhuar gola. Kualiarela nuk është një rast unik në kampionatin italian. Më herët të njëjtën gjë e kanë bërë Antonio Di Natale me Udinezen që shkëlqeu me fanellën baredhzi vetëm pasi kaloi 32 vjeç dhe Luka Toni që para dy sezonesh më shumë se 23 gola, kur ndërkohë i kishte kaluar 37 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë