Sociale

Ku emigrojnë europianët? Po shqiptarët?

Vitin e kaluar, publikova një hartë, që tregonte gjendjen aktuale të emigracionit në Europë. Megjithatë, kuptova se të dhënat që kishte studimi i 2015-ës, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara mund të analizoheshin edhe në mënyra të tjera – më shumë sesa numri dhe vendet më të zakonshme të origjinës së emigrantëve, është e mundur të krijohet një hartë, e cila tregon shifrat e emigrantëve dhe destinacionet më të zakonshme të emigrantëve.
Harta e mëposhtme tregon shifrën e njerëzve që kanë emigruar nga një shtet i dhënë, si përqindje e popullsisë aktuale, ose më saktë popullsia më 2015-ën. Le t’ua qartësoj me një shembull: Popullsia e Polonisë më 2015-ën, ishte afërsisht 38 milionë e 612 mijë banorë, sipas Kombeve të Bashkuara dhe numri i njerëzve të lindur në Poloni, që jetonin në një shtet tjetër ishte 4 milionë e 450 mijë, që do të thoshte 11.5 përqind.

Megjithëse përqindjet e larta tregohen në hartë me të kuqe, shifrat e larta nuk janë domosdoshmërisht të këqija në vetvete (nëse emigracioni i kundërvihet normës së lartë të lindjes apo migracionit të brendshëm, si në rastin e Irlandës dhe Portugalisë). Sidoqoftë, shumë vende “blu” dhe “të kuq” në hartë kanë humbur popullsi për dekada me radhë. Duhet përmendur se të dhënat e Kombeve të Bashkuara bazohen në vendin e lindjes, jo në nënshtetësi apo etni. Kjo do të thotë, për shembull, se një qytetar gjerman i lindur në një familje gjermane që jeton në Poloni, që më pas është shpërngulur nga Polonia drejt Gjermanisë, mund të llogaritet si një emigrant nga Polonia, megjithëse ai apo ajo nuk ka qenë kurrë shtetas polak. Me këtë në mendje, hidhini një sy hartës më poshtë, që tregon destinacionet më të zakonshme të emigrantëve, që është vendi që pret popullsinë më të madhe të emigrantëve nga një vend i caktuar.

Emigracioni i dhënë në përqindje. Shqipëria ka 38.8 përqind të popullsisë që jeton jashtë territorit.

Disa rezultate mund të duken befasuese. Rusia nuk është destinacion zgjedhjeje i estonezëve dhe letonezëve etnikë; megjithatë, të dy vendet kanë pasur historikisht minoritete ruse, që janë rritur në mënyrë domethënëse gjatë epokës së Bashkimit Sovjetik dhe kanë nisur të tkurren pas rënies së tij. Kështu, tendenca që shohim në hartë është kryesisht rezultat i rusëve etnikë që kthehen në Rusi, sesa e estoneze apo letonezëve etnikë që emigrojnë. Nëse emigrantët drejt Rusisë përjashtohen, estonezët emigrojnë kryesisht në Finlandë dhe letonezët më shumë në Mbretërinë e Bashkuar. Ngjashëm, pjesa më e madhe e emigrantëve nga Bullgaria dhe Maqedonia drejt Turqisë, janë turq etnikë.

Harta e Europës me destinacionet më të zakonshme të emigrantëve

Nëse përjashtohen emigrantët drejt Turqisë, pjesa më e madhe e bullgarëve emigrojnë drejt Spanjës dhe shumica e maqedonasve ( jo për t’u habitur, pjesa më e madhe janë shqiptarë) emigrojnë drejt Zvicrës. Në fund, modeli i parë në Rusi, Ukrainë dhe Bjellorusi është i pritshëm, duke marrë në konsideratë se ka qenë një shtet me një popullsi tejet të përzier në vitin 1990. Nëse përjashtojmë shtetet post-sovjetike, rusët emigrojnë kryesisht në Gjermani dhe ukrainasit dhe bjellorusët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët siç pritet, emigrojnë kryesisht drejt Italisë, me një shifër marramendëse prej 28.3 përqind të popullsisë, duke çuar thuajse gjysmën e popullsisë jashtë territorit të republikës. Drejt Italisë emigrojnë edhe rumunët, me 17.5 përqind të popullsisë. Po ashtu siç pritej, kosovarët emigrojnë kryesisht drejt Gjermanisë, një tendencë që vihet re edhe tek serbët.

• Jakub Marian/ jakubmarian.com

 

Më Shumë