Analize

Kthetrat e Kremlinit mbi energjinë në Ballkan

Një tubacion i ri i gazit natyror që nis në Detin e Zi në Turqi, vazhdon në Ballkan dhe përfundon në Europë është kthyer tanimë në një unazë rrjetesh energjetike me qendër në Rusi, e cila do t’i bënte shtetet evropiane gjithnjë e më shumë të varura nga Rusia.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk Rexhep Tajip Erdogan mirëpritën përfundimin e ndërtimit të fazës kryesore të gazsjellësit në fund të vitit të kaluar gjatë një takimi në Stamboll.

“TurkStream” është projektuar për të furnizuar me gaz rus konsumatorët turq dhe ata europianë dhe është një nga temat e nxehta të debateve për sigurinë e energjisë në Europë. Në kuptimin e konotacioneve gjeopolitike, ai konsiderohet si “vëllai i vogël” i “Nord Stream”, gazsjellësit që lidh Turqinë me Rusinë. Ky tubacion po aq i diskutueshëm është projektuar për të përmbushur nevojat e Gjermanisë dhe vendeve anëtare të BE-së me gaz, por është kundërshtuar ashpër nga SHBA-ja.

Ndërkohë, Turqia, e cila deri kohët e fundit shihej si aleatë e ngushtë e SHBA-së, ka ndërtuar tashmë tubacionin “Blue Stream”, i cili siguron 16 miliard metra kub gaz nga Rusia në vit. Ndërtimi i këtyre gazsjellësve vjen pas rritjes së bashkëpunimit ruso-turk në sektorin energjetik dhe pasqyron traditën e vjetër të Turqisë për balancimin e ndikimeve të huaja, një strategji e njohur që nga epoka osmane.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Presidenti rus Vladimir Putin.

Tanimë si Turqia, ashtu edhe Rusia po e përdorin gazsjellësin për kërkimin e aleatëve të rinj, për shkak të izolimit nga Perëndimi. Për fatin e tyre të mirë “TurkStream” redukton ndjeshëm shanset e lojtarëve të tjerë në rajon, si Irani, Azerbajxhani ose shtetet e Gjirit apo Azisë Qendrore. Marrëveshja vjen në momentin e duhur për Turqinë, e cila po përpiqet të modernizojë sektorin e saj të energjisë për një çmim të volitshëm.

Erdogan po konsideron po ashtu edhe ndërtimin e centraleve bërthamore dhe tubacioneve të tjera të gazit, të udhëhequra nga Rusia, për të plotësuar kërkesën e popullsinë urbane për energji. Dhe gazi natyror përfaqëson një burim relativisht të lirë dhe të pastër energjie
“Turkstream” ka nisur ndërtimin në afërsi të Krimesë, por është një projekt politikisht i ndjeshëm pasi varet nga marrëdhëniet e Ankarasë dhe Moskës.

Së bashku me faktorë të tjerë, si ndërtimi i centralit bërthamor në Akkuyu, rritja e importeve të naftës nga Rusia dhe mungesës së burimeve të brendshme, “TurkStream” do të shtojë varësinë e përgjithshme të Turqisë ndaj Kremlinit. Duke qenë se kapaciteti i tij duket të jetë shumë më i madh se nevojat aktuale të Turqisë, gazsjellësi do të ketë lidhje të mëtejshme në Ballkan.

Ndërkohë, shumica e vendeve të Ballkanit janë furnizuar ekskluzivisht me gaz rus me të vetmen rrugë të mundshme: Ukrainës. Ashtu si Turqia, edhe vendet e rajonit duhet të modernizojnë sektorët e tyre të energjisë dhe të ndërtojnë burime të besueshme të energjisë së pastër.

Por kur bie fjala tek Ballkani, elitat politike nuk duhet të marrin parasysh vetëm të ardhurat e fituara nga taksat e transportit, pasi “TurkStream” i hap rrugën Rusisë për manovrim gjeopolitik.

Dimensioni politik i furnizimeve me gaz nuk mund të anashkalohet. Agjentët pro-rusë në Ballkan, të cilët janë zakonisht anti-perëndimore dhe nacionaliste po promovojnë në mënyrë aktive shfrytëzimin e energjisë ruse në të gjithë Ballkanin. Shembulli më i mirë është ai Serbisë. Sektori i energjisë në vendin fqinj është tashmë në duart e strukturave politike të lidhura me Moskën. Presidenti serb, Aleksandar Vuçic ka konfirmuar tashmë se Serbia do të jetë pjesë e “TurkStream”.

Pak kilometra më tutje, edhe Hungaria, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia varen nga gazi rus, por "Katërshja e Vishegradit" ndryshe nga vendet e Ballkanit kanë edhe burime alternative energjie. Për shembull, Republika Çeke ka furnizime alternative nga Norvegjia. Sllovakia merr gjithashtu gaz nëpërmjet tubacionit që kalon nga Republika Çeke dhe Austria. Polonia aktualisht është duke ndërtuar tubacionin Baltik, i cili do të përfundojë në bregun norvegjez.

Katërshja e Vishegradit shpesh pretendon se formon një aktor të bashkuar politik, por nuk është shumë e bashkuar kur bie fjala tek Rusinë. Kjo është veçanërisht e dukshme në çështjet e energjisë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Polonia, e cila ka ambicie të mëdha rajonale, duke përfshirë ndikimin mbi Ukrainën, po mban prej vitesh një politikë anti-ruse. Hungaria dhe presidenti i saj Viktor Orban po afrohet gjithnjë e më shumë me Kremlinin dhe modelin e saj të qeverisjes, të ashtuquajtur demokraci sovrane. Por Polonia kërkon më shumë për bashkëpunim me SHBA-në dhe madje edhe BE-në. Ndërkohë kjo e fundit vazhdon të blejë mbi një të tretën e furnizimeve të gazit nga kompania shtetërore e Rusisë “Gazprom”. Shtetet anëtare të BE-së Lindore zakonisht blejnë shumë më tepër se aq

Fuqia e Brukselit dhe ndikimi i Uashingtonit do të jenë ato që do të vulosin rruggën që do të ndjekë “TurkStream” përmes Ballkanit drejt Evropës Qendrore në të ardhmen. Deri më tani, Gazprom duket se po arrin të ccojë përpara planin e saj madhor për të anashkaluar Ukrainën, humbësen e vetme nga ky gazsjellës. .

Në këtë mënyrë, Kremlini dëshiron të ndëshkojë Ukrainën, duke nxitur rritjen e çmimit të gazit natyror, i cili do të ketë një ndikim të rëndë mbi konsumatorët tashmë të varfër ukrainas, duke dobësuar kështu legjitimitetin e regjimit anti-rus në Kiev.

Për Kremlinin, gazi natyror nuk përfaqëson vetëm një burim të ardhurash, por edhe një mjet efektiv për politikën e jashtme. Për lojtarët e fortë europianë si Gjermania, ai krijon mundësinë e një partneriteti reciprokisht të favorshëm me Rusinë. Por shtetet më të dobëta të Europës, si Ballkani, rrezikojnë të vuajnë përgjatë gjithë dekadave të ardhshme varësinë nga gazi rus.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë