Ekspozite

Kryeveprat e humbura të Leonardo Da Vinçit

Leonardo Da Vinçi konsiderohej një nga individët më të talentuar, për kohën kur jetoi, dhe pse kemi dëshmi se nuk arriti të përfundonte shumë prej veprave të tij, pa marrë parasysh që shumë u shkatërruan.
Ai krijoi disa nga pikturat më të mëdha të Rilindjes, por më pak se 20 prej tyre kanë mbijetuar edhe në ditët e sotme, si Darka e Fundit e Salvator Mundi. Asnjë projekt skulpturor apo arkitekturor nuk i përfundoi ashtu si i kishte planifikuar, përshirë ato të artit dhe anatomisë, të cilat mbetën të papërfunduara.
Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për artin e mrekullueshëm të Da Vinçit, i cili përgjithësisht është treguar në sajë të vizatimeve të tij. Punimet me laps dhe larmishmëria e ngjyrave, kanë zbuluar interesin e tij për një sërë fushash, duke përfshirë pikturën, skulpturën, arkitekturën, anatominë, inxhinierinë, gjeologjinë dhe botanikën.
“Për shkak se ai ishte shumë strikt në punën e tij, puna që ka kryer është vërtet mbresëlënëse. Për shkak se vizatimet i kanë mbijetuar kohërave të ndryshme, ato japin një pasqyrë unike për aftësitë e tij si artist,” thotë Martin Clayton, drejtori i pikturës në organizatën e bamirësisë "The Royal Collection Trust", i cili tregoi në një ekspozitë vizatimet e Da Vinçit, kudo në Mbretërinë e Bashkuar, gjatë fillimit të këtij viti.

Edhe pse studimet aktuale tregojnë historinë për një pjesë të vogël të pikturave të tij, ato janë padyshim më të bukurat. Por, gjithashtu ato janë një dëshmi se ka shumë kryevepra të tjera të cilat kanë humbur.
“Studimet anatomike mund të duken si një botë larg artit, por gjëja vendimtare për të kuptuar Da Vinçin është se e gjithë puna e tij ishte unike. Shumë herët në karrierën e tij, mendonte se piktura në thelb ishte një kërkim shkencor dhe duhet të përmbante efekte shkencore të verifikueshme, racionale dhe objektive, ndërsa të gjitha hulumtimet e tij shkencore kishin komponentë shumë të fortë estetike” thotë Clyaton

Njohuria për anatominë ishte e zakonshme tek artistët e asaj kohe, por Da Vinçi krijoi një vëzhgim të thjeshtë të formës, duke kërkuar mjetet për të portretizuar një qenie të gjallë me shpirt. Hetimet e tij, duke përfshirë teknika shumë inovative, si për shembull dylli i shkrirë, për të përcaktuar forma të ndryshme, tregonin veçantinë e këtij artisti.
Sipas Claton, një ndër përpjekje më të mëdha shkencore të Da Vinçit ishin studimet e tij për zemrën. Megjithëse në mungesë të zemrës së njeriut aso kohe, ai përdori zemrën e një kali, për ta vëzhguar se si funksiononte.

“Kjo ishte diçka tepër e veçantë, të cilën nuk e gjejmë as në kohën tonë,” shprehet ai.
Vizatimet e këtyre hulumtimeve tregonin qartë mendimet e Da Vinçit, por jo të gjitha ishin kështu. Studimet për embrionin ishin të ndryshme. Ai e tregonte fetusin në mitër, si mrekullinë e jetës. Sipas Clayton duket se, ai gjithmonë insistonte për vizatimet, sikur kishte një ndjenjë frike. Magjepsja e Da Vinçit me riprodhimin dhe rigjenerimin, është çelësi për të kuptuar veprën e tij më të famshme, Mona Lisa.
“Megjithëse gjerësisht besohet të jetë një portret i Lisa Giocondo, gruaja e një fiorentinasi të pasur, është një pikturë që tejkalon identitetin e saj” shpjegon Clayton.

Simbolizmi është zhvilluar nga peizazhi i lashtë në sfond, që nënkupton një universalitet të përjetshëm. Gjithashtu, edhe studimet e Da Vinçit për formacionet e ujit dhe shkëmbit, i kishin treguar këtij gjeniu të fshehtat për krijimin e Tokës. Hulumtimet për ujin u nxitën nga interesi i tij për inxhinieri. Ndërsa, ishte në punë në Borgia, ai krijoi atë që Clayton e quan "harta më e saktë e Rilindjes", e qytetit italian Imola.
"Ju mund të krahasoni hartën e Da Vinçit me hartën moderne të Imolës dhe ato janë shumë të ngjashme,” shprehet Clayton.
Në fillim të karrierës së tij, Da Vinçi kishte shkruar përrallat alegorike në lidhje me aftësinë e njeriut, për të shkatërruar lakminë dhe luftën. Në fund të jetës së tij, filloi të përqendrohet në mënyrë obsesive tek vizatimet apokaliptike, prej të cilave nuk ka mbetur asgjë përveç pluhurit. Clayton sheh në këto imazhe një ndërgjegjësim të njerëzve që rrjedh nga kuptimi unik i Da Vinçit për Tokën.

Ai e dinte se çdo njeri që krijon do të shkatërrohej përfundimisht në pluhur, ashtu si Darka e Fundit kishte filluar të bënte me jetën e tij, ndërsa forcat e natyrës do të mbizotëronin. Përulësia e thellë e treguar në këto vizatime, është ndoshta një testament më i madh sesa çdo vepër e humbur ose e papërfunduar./BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë