Futboll

Kryevepër e Milanit, fitoi skuadra me më shumë ide e besim

Gazeta Si - Titulli i Milanit është një kryevepër. Nuk ka fituar kush shpenzoi më shumë, por kush luajti më mirë. Nuk fitoi skuadra favorite, por ajo me më shumë ide.

Dhe ka një shije speciale kur e fiton titullin kundër parashikimeve. Është vërtet një kryevepër. Ka po ashtu një shije speciale për kuqezinjtë, kur e fitojnë titullin kundër Interit, gjysmës tjetër të qiellit të Milanos.

Është një kryevepër e Piolit. Shumë i zoti trajneri për të krijuar një skuadër jo perfekte, por të bashkuar. Milani i tij nuk e humbi kurrë ekuilibrin në ulje-ngritjet e një kampionati të luftuar.

Milani feston me trofeun. Gazeta Si, 23 maj 2022

Një përzierje e eksperiencës dhe e rinisë. Teknikë dhe agonizëm, që krijojnë atmosferën e duhur te skuadrat që arrijnë një objektiv madhor. Një arritje të madhe.

Sepse ky titull është një arritje, një kryevepër. Fitoi kush besoi gjithmonë dhe mbi të gjitha kush besoi më shumë. Interi ngeci në ndeshjen e Bolonjës, ku duhej të bënte parakalimin nga virtual në real. Doli nga gara për yllin e dytë, kur ai dukej aq afër.

Nuk mundi të merrte pikët që vlejnë dyfish. Por Interi arriti të fitojë dy Kupa, nuk duhet harruar. Pioli i ka dhënë Milanit të tij një identitet grupi. Një ndërgjegjësim për aftësitë e veta, që e lejoi të qëndrojë i fortë edhe kur u dëmtuan Kjaer, Maignan, Zhiru dhe Ibra.

Trajneri Pioli ka gjetur gjithmonë zgjidhje. Dy pikat e kthesës, derbi i fazës së dytë dhe transferta e Napolit, mbajnë firmën e Piolit. Më i zoti se Inzagi dhe Spaleti në sfidat direkt. Më i zoti për ta mbajtur ‘makinën në pistë’ edhe kur skuadra ka çeduar.

Nëse shohim poshtë ‘kofanos’, makina kuqezi ka një motor me më pak kuaj fuqi se Interi, Juve dhe Napoli. Dhe për të qenë në nivelin e titullit kryevepër të gjithë lojtarët kanë kaluar limitet e tyre. Leao, Teo Hernandez dhe Tonali tani vlejnë dyfishin e gushtit të kaluar.

Kesi dhe Benaser kanë mbajtur mesfushën, një repart vendimtar. Ashtu si mbrojtja me Tomori-Kalulu, një çift interesant. Zhiru ka shënuar kur nuk pritej, siç i kërkohet një qendërsulmuesi. Maignan ishte portieri më i mirë i kampionatit, askush nuk e ka ‘qarë’ më Donarumën.

Edhe te kjo paraqitje e mrekullueshme kolektive është dora e Piolit. Nuk ka rëndësi, nëse është një trajner normal apo special, ka fituar me meritë. Kush ka dëshirë ta kritikojë, të paktën duhet të shohë frytet e punës së tij.

Maldini dhe Masara janë gjithashtu dy arkitrarë të titullit. Maldini e mbrojti Piolin, kur doli hipoteza Rangnik. Ai përcolli në dhomat e zhveshjes me pak histori mbi shpatulla forcën e historisë së Milanit.

Personaliteti, zakoni i të fituarit, ADN-ja e klubit më europian të futbollit italian me 7 Chapions… E gjitha kjo mishëron Maldinin. Një shpirt që bashkë me kompetencën do të ishte çmenduri të humbte në kalimin e klubit te pronarët e rinj.

Singer me anë të fondit ‘Eliott’ e ka përmbushur misionin e tij, duke korrur më shumë më shumë se sa mendonte gjatë mbjelljes, falë Gazidis dhe Skaroni.

Një kontribut të rëndësishëm, nuk duhet harruar, ka dhënë Zvone Boban. Milani ka rimarrë skenën e futbollit italian, tani pronarët e rinj duhet t’i japin edhe atë ndërkombëtare.

Futbolli italian ka nevojë për levën e klubeve të mëdha. Me anë të tyre mund të kthehet protagonist edhe në Europë. Këtë sezon janë parë shumë të rinj të talentuar, shumë vullnet dhe ide të mira. Ato janë pasaporta e së ardhmes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë