Sociale

Kryeministri Kurti dhe nënkryetari i LDK, Haziri dalin negativë nga Covid-19

Mediat kosovare bëjnë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe i gjithë stafi i zyrës së tij i janë nënshtruar analizave për koronavirus. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se duke e pasur parasysh natyrën e punës së Kryeministrit dhe stafit të tij, natyrë kjo që parasheh takime të shpeshta me delegacione vendore dhe ndërkombëtare në funksion të kryerjes së detyrave zyrtare, dhe në kuadër të masave të nevojshme për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19, si masë kujdesi, janë udhëzuar që t’iu nënshtrohen analizave.
“Rezultatet nga analizat kanë dal negative për të gjithë. I ftojmë të gjithë të vazhdojnë me respektimin e masave të vendosura nga Qeveria dhe këshillave të profesionisteve”, deklaroi Kryeziu.
Numri dy i LDK, Kryeziu, u vetizolua, pas analizave del negativ
Kryetari i Komunës së Gjilanit, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka bërë të ditur se që nga e marta u vetizolua, pasi që ka qëndruar në një ambient me personin që doli se është i prekur nga koronavirusi. Haziri ka shkruar në Facebook se komuna të cilën ai udhëheq ka marrë veprime konkrete për parandalimin e virusit. “Ekipet komunale, në koordinim me të gjitha instancat lokale dhe regjionale, çdo ditë janë në luftë me këtë virus. Meqë javën e kaluar kam qenë në ambient të njëjtë, por pa kontakt me Muhamet Sejdiun, i cili rezultoi pozitiv, unë nga mbrëmja jam vetizoluar, duke iu nënshtruar testeve të protokolit shëndetësor”, – ka shkruar ai.

Image may contain: 2 people
Lutfi Haziri, numri dy i LDK


Haziri thotë se të gjithë personat që kanë qenë në ambient të njëjtë do t'u nënshtrohen testeve dhe vetizolimit. “Po ashtu, u kam kërkuar të gjithëve që kanë qenë në ambient të njëjtë, t’i nënshtrohen testeve dhe vetizolimi. Detyrën time e ushtron nënkryetari i Komunës, i mbështetur nga kryesuesi i Komisionit emergjentë të Gjilanit, të cilët kanë ekip të madh pas vete. Besoj që bashkë ia dalim! Deri atëherë, kujdesu për veten, familjen, miqtë e lagjen, duke qëndruar në shtëpi”, shkroi Haziri.
Më pas ka qenë vetë numri dy i LDK-së, Haziri që po me anë të një postimi në Facebook ka bërë të ditur se iu është nënshtruar analizave nëse është i prekur nga koronavirusi, e pas rezultateve ka dalë negativ.
"Pasi iu nënshtrova në mëngjes testit për Covid-19 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndësisë Publike të Kosovës, para pak minutash mora rezultatin zyrtar, i cili, fatmirësisht, është NEGATIV. Faleminderit për solidaritetin mijëra njerëzve të mirë, që jetojnë në Kosovë dhe kudo në botë. Ju lutem, jetoni normalisht, pa duarshtrëngim, por përshëndetuni me zemër. Zoti ka thënë: ti ruaju pak, Unë të ruaj shumë!", shkruan Haziri në Facebook.

20 të prekur në Kosovë nga Covid-19

Në Kosovë ka shkuar në 20 numri i të prekurve nga koronavirusi. Rasti është konfirmuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ku personi prekur është nga fshati Bradash-Podujevë, e gjinisë femër 55 vjeçe. "Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 2.414 thirrje, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë pranuar 370 thirrje telefonike. Nga data 01.02.2020 deri me 18.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 13.316 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 519 udhëtarë, Merdare 4.780, Vërmicë 3.726, Jarinje 887, Dheu i Bardhë 801, Hani i Elezit 1.258, Kullë 744, Qafë Morinë 44, Bërnjak 394, Qafë Prush 28, Muçibabë 134 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë", thuhet në njoftimin e këtij Instituti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë