Politike

Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i dënuar në Greqi: Ika 17 vjeç se fajin e kishte Saliu (Balla e merr në mbrojtje)  

Kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, rezulton i dënuar nga drejtësia greke për akuzën e “Kalimit të Paligjshëm të Kufirit”. Ai drejton bashkinë e Kuçovës nën siglën e PS dhe garon për një mandat të dytë.

Vendimi për dënimin e kryebashkiakut Kreshnik Hajdari është dhënë në vitin 1999 nga gjyqtari i vetëm i gjykatës penale të Janinës, Nicolaos Raptis.

Gjyqtari e ka gjetur fajtor dhe dënuar Hajdarin me 1500 Dhrami.

Ajo që e penalizon Hajdarin në këtë rast është fakti se ai nuk e ka deklaruar këtë dënim në formularin e dekriminalizimit. Edhe pse vetë Hajdari ka një shpjegim tjetër ligjor për rastin e tij.

Pas publikimit të vendimit, kryebashkiaku i Kuçovës komentoi në Facebook se vendimi ndaj tij ishte administrativ dhe për pasojë jo e detyrueshme të deklarohet, dhe se ai u largua në Greqi në moshën 17 vjeçare sepse “fajin e kishte Saliu”

“Kjo është hera e parë që unë mësoj për ekzistencën e një vendimi të tillë, për të cilin sidoqoftë do të interesohem zyrtarisht mbi vërtetësinë e tij. Asokohe në moshën 17-vjeçare mora rrugën për të punuar në Greqi si shumë bashkatdhetarë të tjerë, duke lënë pas Shqipërinë e katandisur si mos më keq nga Saliu. Më ndaluan në kufi dhe menjëherë më kthyen pas në vendlindje.

Nuk kam pasur asnjë dijeni për veprimet që ka ndërmarrë më pas në mungesë drejtësia greke ndaj meje. E megjithatë edhe sikur të kisha pasur dijeni, masa qortuese që ka dhënë Gjykata e Janinës nuk ka qenë e detyrueshme nga unë për t’u deklaruar si vendim administrativ. Gjë që përcaktohet shumë qartë në formularin e Ligjit për Dekriminalizimin, më konkretisht pika 7. Thënë këto, kjo nuk është aspak penalizuese për kandidimin tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Bashkinë Kuçovë. Pra, s’ka asnjë pengesë ligjore”,  komentoi Hajdari.

Taulant Balla është pyetur gjithashtu nga media për rastin në fjalë.

“Vetëm ligji na mbron të gjithëve dhe interesin publik. Të gjithë shqiptarët që kanë qenë në emigracion mund të kenë pasur raste të tilla (Pyetet për Kreshnik Hajdarin). S’jam thelluar në këtë rast. Të lëmë institucionet të bëjnë detyrën e tyre”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë