Bota

Mbyllet pas 16 vjetësh epoka Orban në Hungari, Kryeministri pranon humbjen

Kryeministri hungarez Viktor Orban në një fjalim të shkurtër pas humbjes së zgjedhjeve pas 16 vitesh në pushtet tha se rezultati i zgjedhjeve është “i dhimbshëm për ne, por i qartë”.

Ai përgëzoi partinë fituese të opozitës, Tisza të Péter Magyar, ndërsa shprehu se partia e tij nuk ka punuar kurrë kaq shumë në asnjë fushatë zgjedhore dhe falënderoi hungarezët që votuan për partinë e tij.

“Ne do t’i shërbejmë vendit tonë dhe kombit hungarez nga opozita”, tha ai.

Ai shtoi se në mbi 30 vitet e tij në krye të Fidesz, ka përjetuar vite të vështira dhe të lehta, të bukura dhe të trishtueshme, por këmbënguli se nuk do të dorëzohet kurrë.

“Këto ditë kanë të bëjnë me shërimin e plagëve tona, por ka ende punë për t’u bërë”, përfundoi kryeministri në largim.

Ndërkohë, opozita e udhëhequr nga Péter Magyar shënoi një fitore dërrmuese. Partia Tisza pritet të sigurojë një shumicë prej dy të tretash në parlament, duke i dhënë mundësinë të ndryshojë strukturat kryesore të pushtetit të Orbán-it.

Magyar konfirmoi se ka marrë një telefonatë nga Orbán, i cili e ka uruar për fitoren. Ky zhvillim shënon një pikë kthese të madhe për Hungarinë dhe pritet të ketë jehonë në mbarë Evropën dhe më gjerë.

Këto zgjedhje patën një pjesëmarrje rekord dhe u panë si vendimtare për të ardhmen e Hungarisë dhe Evropës. Humbja e Orbán-it është një goditje edhe për aleatët e tij të afërt, Vladimir Putin dhe Donald Trump.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë