Katar 2022

Kroacia ngushëllohet me vendin e tretë, një magji e Orshiç thyen Marokun

Gazeta Si - Pa ndonjë entuziazëm të madh, por seriozë në fushë, Kroacia dhe Maroku luajtën atë që quhet ‘finalja e vogël’. Ndeshjen për vendin e tretë të Katar 2022, që i ka takuar Kroacisë. Në ndeshjen e tij të fundit në një Botëror, Luka Modriç regjistron këtë sukses me kombëtaren ballkanase.

Katër vjet më parë Kroacia u shpall nënkampione, ndërsa sot kënaqet me ngjitjen në pod. Djemtë e Daliç mundën 2-1 afrikanët në stadiumin ‘Khalifa’. Ishte një ndeshje me ritëm dhe raste.

Dy skuadrat shënuan nga një gol shumë shpejt me anë të goditjeve standarde. Gvardiol fillimisht kaloi kroatët në avantazh me një gjuajtje me kokë, duke finalizuar një skemë. Po me kokë barazoi shifrat 3 minuta më pas mbrojtësi Dari, i cili ishte i zbuluar në zonë.

Në fundin e pjesës së parë Orshiç gjeti goditjen fituese. Me një të djathtë precize nga një pozicion diagonal ai mposhti portierin Bono. Para se të shkonte në rrjetë, topi u përplas në shtyllën e majtë pingule.

Në pjesën e dytë ballkanasit kontrolluan rezultatin, pretenduan për një penallti me Gvardiol, por loja vazhdoi, ndërsa Kovaçic humbi një rast ideal për golin e tretë. Edhe Maroku pati dy raste të mira për të barazuar me anë të sulmuesit En-Nesyri, i cili u ndal nga Livakoviç dhe në shtesë gjuajti mbi tra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë