Kosova

Dështon zgjedhja e kryeparlamentarit të ri në Kosovë, Kurti nuk propozon kandidat

Gazeta Si – Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës u ndërpre këtë të enjte, pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk propozoi një emër si kandidat për kryetar Kuvendi.

Ai tha se i duhet kohë që të zhvillojnë bisedime me partitë opozitare për arritjen e një marrëveshje për presidentin.

Në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm 119 deputetë të cilët u betuan ndërsa seancën e parë e drejtoi, Avni Dehari, deputeti I LVV që rezulton edhe më i vjetri në moshë.

“Ne duam bisedime edhe me PDK-në, edhe me Aleancën, edhe pse refuzimi i tyre është i qartë. Duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria për të cilën u betuam sot”, deklaroi Kurti në Kuvend.

Kurti shtoi se konstituimi i institucioneve nuk duhet të përfundojë me shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Konstituimi kësaj radhe nuk mund të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhje të parakohshme e të paarsyeshme, të dëmshme për ekonominë. Andaj, i nderuari kryesues Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans marrëveshjeve për president apo presidente të re”, ka thënë Kurti.

Dy ditë më parë Albin Kurti takoi kreun e LDK Lumir Abdixhiku, partia e të cilit ka shprehur ambicien për të zgjedhur një figurë të propozuar prej saj, si kryetarin e ri të shtetit.

Kurti pas takimit ka thënë se LVV do të votojë një figurë që nuk përfshihet në politikën e ditës, ndërsa në pranverë nuk mbështeti një mandat të dytë për Vjosa Osmanin që tashmë është zgjedhur deputete.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë