Ekonomi

Kriza politike mund të godasë befasisht ekonominë

Thellimi i krizës politike është një rrezik evident për përkeqësimin e ekonomisë, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë në konferencën rutinë pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës.

Sipas Sejkos rreziqet për ekonominë mbeten të pranishme si nga faktorët e jashtëm, ashtu edhe nga klima politike ku goditjet e papritura në kursin e këmbimit mund të ndikojnë negativisht.

Këshilli Mbikqyrës vendosi të mbajë të pandryshueshëm normën bazë të interesit të lekut në 1%.

Sipas guvernatorit kjo politikë lehtësuese ka dhënë efekt në ekonomi dhe lehtësimi i mëtejshëm i politikës monetare nuk parashikohet më herët se në tremujorin e dytë të vitit të ardhshëm. "Megjithatë BSH është e gatshme të ndërhyjë në çdo moment", u shpreh Sejko.
Gjatë skanerit që i bëri ekonomisë, Sejko tha se forcimi i shëndetit bankar ka favorizuar rritjen e ekonomisë, rritjen e punësimit dhe pagave. Edhe raportin e këmbimit lekë-euro BSH e vlerëson afër ekuilibrit dhe luhatjet i ka argumentuar me faktorët sezonalë.
Po ashtu edhe likuideti është i kënaqshëm, tha Sejko dhe mjedisi i kreditimit ka përmirësim në rritje.

Projektligji për kriptomonedhat

BSH nuk ka një informacion zyrtar për projektligjin në lidhje me tregjet financiare virtuale.

“BSH është një institucion që është përgjegjëse për politikën monetare, stabilitetin financiar dhe ruajtjen në objektiv të inflacionit. Megjithatë ne nuk jemi indiferentë”, u shpreh guvernatori Sejko.

Sipas tij, BSH ka studiuar dhe parë tërë zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe duhet një kosnultim më i gjerë edhe me faktorët ndërkombëtarë për të kuptuar përfitimet dhe rreziqet që vijnë nga ky treg.

Ne nuk kemi qenë as pro as kundër, komentoi Sejko, por duke qenë se nuk ka patur një ligj që detyron mbrojtjen, kontrollin dhe mbikqyrjen, kemi përmendur problemet dhe rreziqet.
Sipas Sejkos me ligjin, rreziqet do të jenë të menaxhuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë