Kombetarja

Kritika për Veselin në Itali, nuk e bën dot mbrojtësin e krahut

Dy ndeshjet e fundit i ka luajtur të plota. Frederik Veseli, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është aktivizuar titullar ndaj Sasuolos fundjavën e kaluar dhe të enjten në mbrëmje ndaj Milanit. Në të dyja këto ndeshje ka bërë mbrojtësin e krahut të majtë, që nuk është roli i tij natyral. Veseli luan në qendër të mbrojtjes, por për nevoja të skuadrës trajneri Andreacoli e ka spostuar në të majtë. Empoli ka marrë vetëm 1 pikë në këto ndeshje, ku për paraqitjen e mbrojtësit kuqezi ka pasur kritika nga shtypi italian.

“Eurosport” e ka vlerësuar me notën 5 Veselin, - nota më e ulët për skuadrën e tij, - duke e argumentuar këtë vlerësim me faktin se ai nuk mundi ta bllokonte asnjëherë Suson e Milanit, që ishte edhe rreziku kryesor për portën e Empolit. Sipas këtij portali, mbrojtësi kuqezi nuk arriti të mbyllte hapësirat, sepse shpesh ishte jashtë pozicionit të duhur.

Frederik Veseli

“Tuttomecatoweb” është treguar më “bujar” me Veselin, duke e vlerësuar me notën 6. Gjykimi i specialistëve të këtij portali është se Veseli nuk është aktiv në lojën sulmuese të Empolit, ku si mbrojtës krahu nuk shtyn përpara aq sa duhet. Për trajnerin Panuçi dhe Kombëtaren shqiptare është pozitiv fakti që Veseli po luan rregullisht me skuadrën e tij, ndërsa niveli që ai ka shfaqur në dy ndeshjet e fundit nuk është për t’u marrë në konsideratë, sepse po luan në një rol të ri. Në Kombëtare Veseli luan në qendër të mbrojtjes dhe në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve me Izraelin dhe Skocinë ka qenë një nga më të mirët. Duke qenë titullar, 25-vjeçari mund ta rritë nivelin e tij. Pas 6 javësh kampionat, Empoli ka 5 pikë dhe mban vendin e 17-të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë