Futboll

Kristiano Ronaldo do të jetë ndaj Ajaksit, Alegri studion planin B

Me titullin në “xhep” (vetëm një pikë i duhet), Juventusi është përqendruar totalisht te sfida e parë çerekfinale e Champions League me Ajaksin, që luhet ditën e mërkurë në Holandë. Trajneri Masimiliano Alegri ka marrë lajme të mira ditët e fundit, do të ketë në dispozicion Kristiano Ronaldon dhe Douglas Kostën, ndërsa gjendja e mesfushorit Emre Çan mbetet e paqartë. Gjithsesi, trajneri i Juventusit po i bën llogaritë për momentin pa portugezin, i cili do të qëndrojë në stol, me shumë mundësi. Bardhezinjtë pritet të luajnë me 4 mbrojtës, me një skemë më shumë mbrojtëse.

Të dielën Kristiano Ronaldo është stërvitur me grupin, sot do të marrë më shumë ngarkesë dhe nëse muskuli i kofshës së djathtës do t’i përgjigjet, do të jetë plotësisht gati për transfertën e Ajaksit. Sulmuesi u dëmtua në ndeshjen me Portugalinë dhe më pas ka bërë terapi speciale. Vendimin përfundimtar do ta marrë trajneri Alegri, nëse Ronaldo do ta nisë titullar ndeshjen e së mërkurës, apo do të hyjë në fushë si zëvendësues. Nëse Alegri zgjedh variantin e dytë, do të jetë kroati Manxhukiç sulmuesi kryesor i Juventusit, i mbështetur nga Bernardeski dhe njëri mes Dibalës dhe Kanselos. Një tjetër alternativë është edhe i riu Kin, i cili ka treguar se është efikas si kur luan nga minuta e parë, ashtu edhe kur hyn nga stoli. “Arma” shtesë e trajnerit Alegri në sulm do të jetë Douglas Kosta, që nuk luan prej datës 2 shkurt. Ai është një lojtar që mund të zgjidhë ndeshjen edhe kur hyn si zëvendësues. Për momentin, nuk është gati për 90 minuta.

Kristiano Ronaldo

Për mbrojtjen, zgjedhja më e mundshme është që Alegri të luajë me katër lojtarë në prapavijë, edhe pse shumë gjëra varen nga gjendja e kaviljes së Emre Çan, i cili la fushën para kohe në ndeshjen me Milanin. Mesfushori gjerman ka ndjerë dhimbje dhe mbetet për t’u parë, nëse do t’ia dalë apo jo. Ai është një lojtar vendimtar në skemën e Juventusit, pasi pozicionohet paksa në të djathtë të mesfushës, por shpesh shndërrohet edhe mbrojtësin e tretë të qendrës. Një lojtar shumë i rëndësishëm për taktikën “kameleon” të Juventusit. Pa lojtarin gjerman, Alegri është i detyruar të rreshtojë katër mbrojtës, sepse Rugani nuk bind në mbrojtjen me tre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë