Futboll

Kristi Vangjeli lë Skënderbeun pas 5 vitesh, firmos në Australi

Futbollisti i Skënderbeut, Kristi Vangjeli, për disa vite edhe pjesë e Kombëtares kuqezi, ka vendosur të largohet nga Shqipëria. Ai ka ndryshuar jo vetëm kampionat, por edhe kontinent. Mbrojtësi 33-vjeçar do ta vazhdojë karrierën e tij në Australi, me ekipin e Adelaide Olimpik.

Lajmi është zyrtarizuar nga faqja zyrtare e klubit të ri të Vangjelit, që shkruan se është firmosur marrëveshja me futbollistin me përvojë të Skënderbeut. Me përvojën e tij të gjatë, mbrojtësi korçar shihet si një element i vlefshëm për ekipin australian, që aktualisht nuk është pjesë e elitës së futbollit australian. Po bëhet e zakonshme tashmë që në Australi të shkojnë futbollistë me moshë të madhe, të cilët ndihmojnë ekipe të ndryshme me përvojën e tyre për ta rritur nivelin. Më parë kanë shkuar në Australi futbollistë të njohur anglezë, apo edhe futbollistë të tjerë me origjinë nga Greqia dhe Kroacia.

Kristi Vangjeli, kur luante me Kombëtaren, në një dyluftim me Ronaldon

Në Australi ka lënë gjurmë ish-sulmuesi i Shqipërisë dhe Kosovës, Besart Berisha, i aktivizuar me Brisbane dhe Melburn, ndërsa tani luan në Japoni. Vangjeli largohet kështu nga Skënderbeu pas 5 sezonesh. Ai erdhi në vitin 2014 dhe ka fituar gjithçka me fanellën e ekipit të qytetit të lindjes, duke shkuar deri në grupet e Europa League. Përveç Skënderbeut, mbrojtësi i krahut të djathtë ka luajtur në Greqi me Arisin, në Ukrainë me Çernometsin dhe në Rumani me Astrën.

Postimi i klubit australian, Adelaide Olimpik, ku shkruan për firmën me Vangjelin

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë