Irena Beqiraj

Kripto, ‘dashuria e gabuar’ për vendet në zhvillim!


Kriptomonedhat duket se janë "dashuria e gabuar" e vendeve në zhvillim.

Rreth 66% e përdoruesve të kriptos në 2021 janë banorë të vendeve në zhvillim. Njësoj si "një dashuri e gabuar” e cila tenton të plotësojë një nevojë, por zgjedhja bëhet nën pushtetin e fortë të emocioneve edhe shpesh në përgjumje të arsyetimit, edhe përdorimi i kriptos në vendet në zhvillim duket se plotëson një nevojë në kushtet e mungesës së njohjes.

Nevoja!

Shumë analistë financiarë e lidhin përdorimin e kriptos me besimin edhe efikasitetin e ulët të sistemeve bankare të vendeve në zhvillim. P.sh. Vietnami kryeson listën e vendeve që nuk përdorin sistemin bankar ku 69% e vietnamezëve nuk kanë akses në bankë, por Vietnami kryeson botën në përdorimin e kriptove.

Ukraina po ashtu ka qenë gjithmonë ndër vendet me përdorimin më të madh të kriptove. Në vitin 2021, New York Times e quajti atë "kryeqyteti i kriptove në botë". 

Përsëri, Ukraina dallohet për sistemin e saj të tmerrshëm bankar.  New York Times i përshkruan bankat e saj si "sklerotike aq sa dërgimi ose marrja e shumave qoftë edhe të vogla të parave nga një vend tjetër kërkon një dyzinë turbulluese dokumentesh. Apo nëse depozitoni më shumë se 100.000 dollarë në një bankë ukrainase, mundësia që t’i tërheqësh ato është shumë e vogël".

Ishte kjo arsyeja, që për të mundësuar mobilizimin e fondeve të donatorëve, gjatë muajit të parë të luftës, përveç shmangies së predhave të artilerisë ruse, Presidenti Zelenskyy gjeti kohë për të miratuar një ligj që legalizonte kripto-matet dhe forconte kuadrin e tyre rregullator.

Elementi i dytë që ka nxjerrë arsyetimin jashtë "lojës së vendimmarrjes" duke ja lënë vendin emocioneve, është shumëllojshmëria në botën e kriptos.

P.sh. nëse do të kishit investuar 1000 dollarë në mënyrë të barabartë në të gjitha projektet kryesore të kriptove të vitit 2015, sot do të kishit 25.400 dollarë. 

 Nëse këto 1000 do t’i investonit në kriptovalutat më të mëdha të vitit 2020 referuar kapitalizimit të tyre të tregut, sot do të kishit 2.700 dollarë. Por nëse do të kishit vrapuar pas projekteve më të mira të Stablecoins të vitit 2020, sot do të kishit 963 dollarë.

Këto 1000 dollarë mund edhe t’i kishit humbur tanimë nëse do t’i kishit investuar në FTX Exchange. Pra kripto duket një industri me shumë shtresëzime me disa projekte të mira edhe mijëra të tjera të cilat pa frikë klasifikohen si mashtrime të pastra.

Edhe kjo në botën ku jetojmë nuk është kaq e pazakontë.

Arsimi i lartë përshembull është një tjetër fushë plot me mashtrime. Në Amerikën e zhvilluar ka 8 shkolla të Ivy League, 400 universitete kërkimore me cilësi të lartë dhe rreth 1000 fabrika mashtruese të diplomave universitare.

Një person i ditur që ndjek një rrugë normale arsimore, mund të diplomohet në mos në një nga 8 shkollat Ivy League në një nga 400 universitetet e mira.

Një i paditur edhe aq më tepër nën padurimin për t’u bërë PHD brenda vitit klikon në një nga emailet që thonë "MERRNI një doktoraturë për më pak se një vit në universitetin e PHEONIX" , edhe blen një mashtrim.

Kur njerëzve u mungon "njohuria e heshtur" e nevojshme për të lundruar në sisteme kaq të shumëllojshme, si edhe kur varfëria ushqen padurimin drejt fitimeve edhe arritjeve të shpejta, arsyeja përgjumet, duke formëzuar kështu grupet shoqërore më të mundshme për t’u mashtruar. Projeksioni më i mirë i tyre janë banorët e vendeve në zhvillim.

Dashuria e verbër ka shumë mundësi të jetë e gabuar, sikurse përgjumja e arsyes prodhon mostra.


Copyright © Gazeta “Si”