Ka ndodhur

Shkodër, 34-vjeçari plagos partneren me armë zjarri dhe më pas vetëvritet brenda në makinë. Gruaja në gjendje të rëndë në spital

Gazeta Si – Një 34-vjeçar ka plagosur me pistoletë në kokë partneren e tij 44-vjeçare, nënë e 3 fëmijëve nga martesa e parë dhe më pas është vetëvrarë, ku shkak dyshohet një mosmarrëveshje mes çiftit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:15 në lagjen “Mark Lula” të Shkodrës në afërsi të vendit që njihet si fusha e druve.

Policia njofton se vrasja ka ndodhur brenda një automjeti, ku është gjetur pa shenja jete 34-vjeçari Kolë Manaj dhe e plagosura Anila Ndoka.

Ndërsa, për shkak të gjendjes shumë të rëndë shëndetësore, ajo është sjellë me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë.

Dyshohet se 34-vjeçari e ka qëlluar bashkëjetuesen e tij me plumb në kokë, teksa ndodheshin brenda automjetit tip “Tiguan”.

Mësohet se 44-vjeçarja ishte e divorcuar prej 6 vitesh nga bashkëshorti me të cilin kishte 3 fëmijë, ndërsa prej 5 vitesh bashkëjetonte me Manajn.

Pas ndarjes nga ish-bashkëshorti, Anila duket se kishte nisur bashkëjetesën me të dashurin e saj 10 vite më të vogël, Kolë Manaj.

Gruaja është me profesion punonjëse sociale dhe aktualisht punonte për një qendër komunitare pranë Bashkisë Shkodër.

Në “TikTok”, Manaj shpërndante video me këngë dashurie, të cilat i shoqëronte me fotot e postuara ku shfaqej së bashku me 44-vjeçaren, me të cilën bashkëjetonte që prej 5 vitesh.

Në TikTok kishte postuar video me vargjet: “Nëse e do fort mos hiq dorë dhe mos u lësho për asnjë lloj arsye në botë”.

Në brendësi të automjetit është gjetur një armë zjarri pistoletë. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

“Rreth orës 11:15, në lagjen “Mark Lula”, janë gjetur në një automjet, shtetasi K. M., 34 vjeç dhe shtetasja A. P., me plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Shtetasi K. M. ka humbur jetën, ndërsa shtetasja A. P.  është dërguar në spital, në gjendje shumë të rëndë. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet hetimore për rastin. Nga veprimet e para rezulton se automjeti nuk ka dëmtime të jashtme të shkaktuara nga armë zjarri. Në brendësi të automjetit është gjetur një armë zjarri pistoletë”, – njofton policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë