Nga Gazeta ‘SI’ - Edhe katër muaj viti mbaron, por qeveria ka kryer vetëm 33% të investimeve kapitale që ka planifikuar për të gjithë vitin 2023. Ekonomisë vetëm nga ky zë i mungojnë deri më tani rreth 83 mld lekë, sepse janë shpenzuar vetëm 41 mld lekë. Kur u miratua buxheti aty thuhej se këto para do të shkonin për shëndetësinë, arsimin, infrastrukturën, digjitalizimin dhe bujqësinë.
Ku janë paratë e pashpenzuara?
Moskryerja e këtyre investimeve ka krijuar një suficit prej 48 miliardë lekësh në buxhet, kur plani ishte vetëm 8 mld. Nga 8 mujori 2022 suficiti është rritur me 233%.
LEXO EDHE:
- (Zhgj)ëndrra e suficitit buxhetor
- 425 mld lekë në arkën e shtetit në 8 muaj, ndikuar nga taksat e pagave dhe bizneseve. Suficiti rritje 233%
- Sa e vrau kursin e këmbimit suficiti i 'ëmbël' për qeverinë?
I vetmi shpjegim i dhënë për këtë fenomen, ku shpenzimet kapitale përqendrohen dy muajt e fundit të vitit ishte ai i ish-ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, e cila fajësonte proceset burokratike në zyrat e prokurimit që nuk arrinin të mbyllin dot kontratat e investimeve. Një tjetër arsyetim që jepte Ibrahimaj ishte rritja e çmimeve dhe rrjedhimisht e TVSH-së së arkëtuar. Këtë konstatim e hedhin poshtë shifrat e MFE, ku tregohet se zëri i TVSH-së ka pësuar rënie të ndjeshme.
Gjithsesi, ish-ministrja nuk tregoi se ‘ku po qëndrojnë’ këto para, që duhet t’u kthehen taksapaguesve si një e mirë publike.
Sipas ekspertit të Financave Eduart Gjokutaj, suficiti i buxhetit po akumulohet në llogaritë e qeverisë për të shlyer borxhin publik në një periudhë të interesave të larta.
Eksperti dhe profesori i financave, Elvin Meka, e quan të pazakontë këtë situatë për qeverinë, ku vetëm kjo e fundit po përfiton. Sipas tij, suficiti miliarda euro ka ardhur si rezultat i inflacionit të lartë në vend dhe mungesës së politikave lehtësuese për qytetarët.
“Ky vit është ndër të paktat vite që qeveria e kalon me suficit buxhetor, gjatë 20 viteve të fundit. Faktori themelor që ka sjellë një situatë të tillë disi të pazakontë për qeverinë lidhet pikërisht me inflacionin dhe rritjen e përgjithshme të çmimeve, e cila ka favorizuar gjithmonë qeverinë në vjeljen e më shumë të ardhurave, sa kohë që nuk ka asnjë masë apo angazhim nga qeveria për lehtësim të politikës fiskale në favor të konsumatorit. Qeveria pa bërë asnjë punë, përpjekje apo angazhim arkëton miliarda lekë më shumë, thjesht pasi zbaton të njëjtin nivel TVSH-je, tatimi mbi të ardhurat personale, fitimin korporativ, apo dhe sigurimet shoqërore”, shpjegon për Gazetasi.al, profesor Meka.
Meka shton se mosrealizimi i investime publike të planifikuara për 8 mujorin ka ndikuar në krijimin e suficitit buxhetor. Duke e cilësuar si ‘sjellje normale’ të qeverisë shqiptare, përqendrimin e shpenzimeve kapitale në fund të vitit, prof.Meka thotë se kjo është shkelje sipas ligjit të buxhetit.
Në Ligjin Organik të Buxhetit theksohet se suficiti duhet të përdoret dhe mënyrat si apo në rast deficiti, si do të financohet.
Në të njëjtin ligj theksohet se ‘viti buxhetor, për të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, fillon nga data 1 janar dhe përfundon më 31 dhjetor të çdo viti’.
Vitin e shkuar, kur ish-ministrja justifikoi suficitin, as përqendrimi i shpenzimeve nuk rezultoi eficient pasi qeveria e mbylli vitin fiskal me 10 mld lekë ‘fitim’ dhe e nisi me 14 mld. Historiku i buxhetit me suficit është disavjeçar duke krijuar kështu nevojën e ndryshimit të tij me akt normativ, çdo fundvit.
Për njohës të fushës, krijimi i suficitit tregon mungesë të kapaciteteve menaxhuese dhe tregues se barra fiskale është më madhe se sa fuqia absorbuese e ekonomisë për kapitale publike.
Për vetë guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, investimet kapitale që nuk kryhen në kohë dhe krijojnë suficit nuk janë më efektive dhe dëmtojnë tregun financiar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.