Ngjarje

Kreu i bashkisë së Lezhës flet për zjarrin masiv: Shumë pushues i kapi paniku, banorët janë kthyer në banesa

“Shumë pushues i ka kapur paniku dhe kanë qenë të rënduar psikologjikisht. Është krejt normale kur sheh flakët. Por, tani nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë”. Kështu është shprehur për mediat kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu, një ditë pasi zjarri masiv që pushtoi Shëngjinin u vu nën kontroll. Ky zjarr detyroi banorët dhe turistët që të evakuoheshin. Ndreu tha se nuk janë prekur strukturat akomoduese dhe tashmë banorët janë kthyer në banesa pasi nuk ka më probleme.

Sipas tij, “çuditërisht, gjatë orës 2 të natës kemi pasur 4 zjarre të tjera”.

“Janë një alarm se dikush po merret seriozisht me këtë histori. Kemi vepruar shpejt dhe i kemi neutralizuar të gjitha rastet, por duhet parë më thellë se çfarë po ndodh me zjarret. Unë nuk përjashtoj asgjë”, tha Ndreu. Gjithsesi, pasi u pyet nëse këto zjarre kanë të bëjnë me konfliktet për pronat ose ndërtimin e resorteve të reja, Ndreu tha se “nuk ka lidhje fare. Këtu nuk ka leje resortesh dhe asnjëlloj konflikti pronësie”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë