Ngjarje

Kreu i Antiterrorit: Janë edhe rreth 30 persona të tjerë në kampin Al-Hol

Pas riatdhesimit të 19 shqiptarëve nga kampet e ISIS-it në Siri, kreu i Antiterrorit, Gledis Nano, ka treguar se pjesa më e madhe e personave në kampin Al-Hol nuk kanë bashkëpunuar. Ai theksoi se rreth 30 persona të tjerë ndodhen atje, ndërsa shumë të tjerë u fshihen strukturave.

“Personat në kampin Al-Hol nuk janë bashkëpunues. Operacioni ka qenë në vijim pa asnjë ndërprerje. ISIS ka ende prezencë në terren dhe kjo na sjell edhe vështirësi. Dua të theksoj se janë rreth 30 persona të tjerë në kampin Al-Hol”, tha Nano.

Ai tha se nuk ka pasur problematika të veçanta gjatë operacionit dhe se ka qenë pothuajse e llogaritur koha e udhëtimit drejt Libanit më pas Sisrisë dhe kthimit në atdhe.

Nano theksoi se një pjesë e të riatdhesuarve kanë lindur atje, por “jam shpresëplotë, sepse kemi ndjekur procesin e riintegrimit të atyre që u riatdhesuan vjet. S’mund të them që ky proces do të mbarojë menjëherë. Është proces që kërkon kohë dhe duhet të kemi durim”.

Këtë të diel, u riatdhesuan nga kampet e ferrit 5 gra dhe 14 fëmijë. Ndërkohë që kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat nga aeroporti “Nënë Tereza” u shpreh se është edhe një operacion për tu zhvilluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë