Prokurori kombëtar i antimafias, Federico Cafiero De Raho, gjatë një konference për shtyp në Gjykatën e Firences ka folur për operacionin antidrogë ndërkombëtar që çoi në arrestimin e 20 personave, ku ka theksuar se kriminelët shqiptarë kanë aftësi të mëdha duke u marrë drejtpërdrejt me kartelet e trafikantëve të drogës në Amerikën Latine.
“Ndonjëherë na shtyjnë të mendojmë se organizatat kriminale shqiptare janë të nivelit të dytë. Operacioni Los Blancos demonstron, megjithatë, se kriminelët shqiptarë kanë aftësi të mëdha duke u marrë drejtpërdrejt me kartelet e trafikantëve të drogës në Amerikën Latine, duke siguruar me ta marrëdhënie të qëndrueshme. Hetimet gjithashtu bënë të mundur për të konstatuar ekzistencën e një superstrukture kriminale shqiptare, një lloj ‘kupole’, nga e cila vinin direktivat strategjike”, u shpreh prokurori kombëtar i antimafia, Federico Cafiero De Raho.
“Ky është një operacion ndërkombëtar, megjithatë shumë i rëndësishëm, i cili ka sjellë në provë rolin e trafikantëve shqiptarë të drogës”, theksoi prokurori.
Sipas mediave italiane, Cafiero de Raho ka thënë se kriminelët shqiptarë që janë marrë me trafikimin e drogës i kanë realizuar mbërritjet e ngarkesave të kokainës në portet europiane, veçanërisht në Antverp dhe Roterdam. Ai ka shtuar se kapacitetet e tyre u zbuluan nga marka e tyre e famshme “Bello”, e cila ishte stampuar në pakot e kokainës së importuara në Europë.
“Marka në blloqe, është pothuajse si një garanci e cilësisë së produktit, është një risi absolute dhe befasuese, e cila u shfaq në pesë vjet hetime”, theksoi Cafiero de Raho.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.