Drejtësia

Krerët e institucioneve të drejtësisë ankohen për ambiente e burime njerëzore

Mbështetja me burime financiare, por sidomos me burime njerëzore e logjistike ishte kryefjala e shqetësimeve që adresuan drejtuesit e institucioneve të reja të dala nga reforma e drejtësisë, në tryezën e organizuar këtë të premte me rastin e 5-vjetorit të miratimit të kësaj reforme dhe diskutimit të strategjisë për pesë vitet e ardhshme.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja foli me optimizëm për përmirësim të situatës së ngarkesës te SPAK me nisjen e punës nga grupi i parë i hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, por kërkoi një ndërtesë për BKH-në.

“Duhet të ulemi e të diskutojmë për ambiente për hetuesit e BKH, duhet gjetur një zgjidhje për këtë”, tha ai.

“Rezultatet e 2-3 muajve të fundit janë të matshme dhe kanë treguar se struktura po fillon të funksionojë dhe të japë produktin e saj. Ka pasur ndëshkueshmëri me konfiskime pronash nga aktiviteti kriminal, por edhe hetime e ndjekje penale ndaj personave, zyrtarë apo jo zyrtarë, hetimi ndaj të cilëve do të shkojë deri në fund. Pavarësisht kush do jenë personat apo personazhet e përfshirë në hetim, ne do t’i shkojmë deri në fund”, vijoi më tej kreu i SPAK.

Kraja kërkoi ndryshim urgjent të hartës gjyqësore sipas propozimit të KLGJ, që 34 gjykata që janë aktualisht të ngelen 15 dhe vetëm një Gjykatë Apeli në Tiranë. Kraja kërkoi që të ndryshohet ligji për SPAK dhe të zgjatet në kohë mandati i prokurorëve të posacem, që aktualisht është 9-vjecar. Sipas tij nuk mund të zgjidhen probleme me mandat të kufizuar.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që të përfundojë sa më shpejt hartën e re gjyqësore të vendit, si e vetmja zgjidhje përballë mangësive që po hasin organet e akuzës në rrethe.

“Do ta nisja nga harta gjyqësore, nevoja e saj është emergjente. Situata disa nga Prokurorive të vendit është e rënduar, ne parashikojmë që në vjeshtë situata do të përkeqësohet më tej. Stoku i dosjeve do të bëhet i papërballueshëm në kushtet e vonesës së strukturave të prokurorisë. Ky nuk është i vetmi hap, kërkohet masa të tjera”, tha ai.

Çela madje propozoi edhe ndërhyrje në ligjin për magjistraturën, duke propozuar që të rikthehet sistemi ku viti i tretë i studimeve të jetë edhe vit pune. “Do të ishte një rifreskim i shtuar për sistemin e drejtësisë”, propozoi kryeprokurori.

Prokurori i Përgjithshëm mendon se sistemi duhet orientuar drejt digjitalizimit për të ulur kostot dhe burimet njerëzore, si dhe për të rritur efikasitetin.

Nga Gjykata e Lartë, Sokol Sadushi tha se pavarësisht se kjo gjykatë është funksionale me rëndësi është plotësimi i saj me anëtarë dhe sidomos shtimi i këshilltarëve dhe ndihmësave ligjorë.

“Duke bërë një krahasim shohim që në këtë muaj ne arritëm që të kalonin numrin e vendimmarrjes me numrin e ardhjes së dosjeve. Kjo është një shpresë. Kemi disa sfida, procesi ka nisur, shpresojmë që të vijojmë sa më shpejt që Gjykata e Lartë të punojë për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë jam i parimit që të kemi më shumë këshilltarë dhe ndihmës ligjorë se gjyqtarë, kështu sistemi i drejtësisë do jetë më efikas", u shpreh ai.

Çështjen e ambienteve dhe burimeve njerëzore e logjistike e ngriti edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

“Ndonëse para sfidës së një trupe të pa plotësuar tërësisht dhe një trupë të re, ka kryer një punë voluminoze, përgjatë këtij viti kemi shqyrtuar 125 çështje, 30 vendime përfundimtare dhe 95 për mos kalimin. Ajo ka shqyrtuar stokun e çështjeve të mbartura dhe i ka dhënë vendimet e arsyetuara brenda afatit, përveç synimit parësor, Gjykata i ka dhënë të njëjtën rëndësi miratimin e akteve të brendshme të saj. Mos miratimi i buxhetit nga Kuvendi për Gjykatën Kushteuese, ka kufizuar punën e saj. Do të vlerësoja pozitive çka u prezantua sot nga Ministria e Drejtësisë, për ndërtimin e një godine për Gjykatën Kushtetuese në 5 vitet e ardhshme", tha Tusha.

Kreu i KLP, Gent Ibrahimi kërkoi përforcim të bashkëpunimit mes vetë institucioneve të reja të drejtësisë.

"Arkitektura e re e sistemit të drejtësisë është komplekse. Ajo sjell në plan të parë nevojën për koordinim, duhet të mësojmë të ndërveprojmë, strategjia që shtrohet sot është dokumenti që materializon edhe mënyrën se si do të koordinohemi me të ardhmen për rezultatet. Për të gjitha institucionet është koha për të dhënë rezultate dhe ne jemi duke e bërë, diku më të dukshme diku jo, është një moment i rëndësishëm që të kornizohet në një strategji të efekte", tha Ibrahimi.

Çështjen e mangësive në burime njerëzore, ambiente e logjistikë e ngriti edhe përfaqësuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë