Bota

Kremlini: Finlanda në NATO është një kërcënim për Rusinë

Gazeta Si - Hyrja e Finlandës në NATO “sigurisht” përbën një kërcënim për Rusinë dhe nuk do të ndihmojë stabilitetin dhe sigurinë e Evropës.

Kështu ka reaguar zëdhënësi i Kremlinit, Dmytro Peskov pas njoftimit të Helsinkit se dëshiron të aplikojë për anëtarësim në Aleancën Atlantike.

Një vendim që shënon një ndryshim rrënjësor për vendin, i cili ka qenë gjithmonë neutral dhe i pjekur pas pushtimit rus të Ukrainës.

Rusia, tha Kremlini, "është e gatshme t'i japë përgjigjen më vendimtare kujtdo që përpiqet të përfshihet në Ukrainë dhe të pengojë operacionin special ushtarak".

Të gjithë, shtoi Kremlini, duan të shmangin një konfrontim të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s.

Në përgjigje të deklaratës së liderëve të Finlandës, Moska zyrtare ka reaguar me kërcënime.

“Aderimi i Finlandës në NATO është një ndryshim rrënjësor në politikën e jashtme të vendit”, tha në një deklaratë Ministria e Jashtme e Rusisë.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme thuhet po ashtu se Rusia do të detyrohet të marrë hapa hakmarrës.

“Rusia do të detyrohet të ndërmarrë hapa hakmarrës, si të natyrës ushtarako-teknike ashtu edhe të natyrave të tjera, që të ndalojë shfaqjen e kërcënimeve ndaj sigurisë së saj kombëtare”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Ndërsa Dmitry Medvedev, ish-president dhe nënkryetar aktual i Këshillit të Sigurisë Ruse, është ndër "skifterët" më agresivë të administratës së drejtuar nga Vladimir Putin.

Ai është rikthyer për të kërcënuar Perëndimin, me fjalë që – përtej retorikës – janë të destinuara të bëjnë zhurmë.

Edhe pse e nis fjalimin e tij, duke siguruar se "Rusia nuk po kërcënon botën me një sulm bërthamor", Medvedev vazhdon duke thënë se "Furnizimi i Ukrainës me armë nga vendet e NATO-s, trajnimi i trupave të saj në përdorimin e pajisjeve perëndimore, vendosja e mercenarëve dhe mbajtja e stërvitjeve kufitare, rrit gjasat për një konflikt të hapur dhe të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s", dhe se "një konflikt i tillë, gjithmonë ka rrezik të shndërrohet në luftë totale bërthamore. Do të ishte një skenar katastrofik për të gjithë”.

“Mos gënjeni veten, as të tjerët”, përfundon ai në Telegram, përpara se të ulë tonet paralajmëruese: “Duhet të mendoni për pasojat e veprimeve tuaja. Dhe mos e mbytni veten me pështymën tuaj në spazmat e rusofobisë tuaj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë