Kombetarja

Krah Ronaldos, Hysaj në formacionin më të mirë të eliminatoreve

Pas dy ndeshjeve eliminatore të shtatorit të vlefshme për kampionatin Europian 2020, revista e njohur franceze, “France Football” ka bërë formacionin ideal, me lojtarët që bënë paraqitjet më të mira në këto dy ndeshje. Në këtë formacion të revistës franceze bie në sy prezenca e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, krahë disa prej futbollistëve më të mirë në botë, si Ronaldo, Sanço, De Brynje, apo Nikitarian.

Josep Gomes - Gazeta Si, 13 shtator 2019

Portier

Portieri i Andorës meriton nderime për paraqitjen e tij në këtë javë ndërkombëtare. Pasi mbrojti shkëlqyeshëm portën e tij në Turqi, ku ekipi i tij u mposht minimalisht 0-1, Josep Gomes përsëriti paraqitjen shumë të mirë edhe kundër Francës të martën në mbrëmje. Ndërhyrjet e tij në një goditje kryesore të Giroud dhe një përpjekje të Koman ishin shumë vendimtare dhe ia vështirësuan mbrëmjen Girzmanit me shokë. Në kushte të tjera me një mbrojtje pak më të mirë, Gomes nuk do kishte pësuar 3 gola nga kampionët e botës.

Klement Lengle - Gazeta Si, 13 shtator 2019

Mbrojtës

Në një rreshtim me mbrojtje me katër, formacioni i “France Football” formohet nga Klement Lengle, autor i një goli me kokë kundër Andorras, por edhe një forme të lartë në bllokim aksionesh edhe kundër Shqipërisë. Bashkë me të në qendër të mbrojtjes është  austriaku Aleksandar Dragoviç , i cili ia arriti të neutralizonte Levandovskin në Poloni në një ndeshje që u mbyll me shifrat 0-0. Në korsinë e djathtë të mbrojtjes revista franceze ka përzgjedhur mbrojtësin shqiptar, Elseid Hysaj. ‘France Football’ e vlerëson shkodranin për aksionin e golit të tij kundër Islandës, që ishte i pari me kombëtaren, por në tërësi për të dyja ndeshje, duke thënë se tashmë është një busull për ekipin e Shqipërisë.  Në të majtë është Marcel Halsterberg, i cili e vendosi Gjermaninë në rrugën e duhur në fitoren e rëndësishme 2-0 me Irlandën Veriore.

Nikolo Barella - Gazeta Si, 13 shtator 2019

Mesfushorë

Në mesfushë, italiani Nikolo Barella ka bërë një paraqitje mbresëlënëse kundër Finlandës në fitoren 2-0, që ishte e gjashta radhazi për “të kaltrit”. Lojtari i ri i Inter në të dyja ndeshjet i dha siguri lojës së Italisë dhe pasat e tij ishin vendimtarë për lojën e skuadrës së Mançinit. Para italianit si organizatorë “France Football” ka përzgjedhur Sanço, Nikitarian dhe De Brynje. Anglezi ishte autor i 2 golave kundër Kosovës dhe dhuroi paraqitje spektakolare. E njëjta gjë thuhet edhe për belgun De Brynje, ndërsa për Nikitarian vlerësohet shumë roli i tij në lojën e Armenisë në fitoren kundër Bosnjes.

Kristiano Ronaldo - Gazeta Si, 13 shtator 2019

Sulmues

Nuk kishte si të mungonte as në këtë klasifikim të “France Football”, Kristiano Ronaldo. Portugezi theu rekordin e golashënuesit më të mirë në eliminatore me 4 golat e tij në ndeshjen e fundit Lituani – Portugali. Krah portugezit në majën e sulmit për formacionin më të mirë për këto dy ndeshje eliminatore është përzgjedhur Dennis Salanoviç i Lihtenshtejnit. Ai ishte autor i barazimit historik që mori kombëtarja modeste në Greqi në shifrat 1-1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë