Kosova

KQZ vendos për rinumërimin e rreth 500 vendvotimeve në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur sot për rinumërimin e 494 vendvotime nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se këto vendvotimeve nuk kanë mundur të kalojnë procesin e auditimit.

“Arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me numërim e votave në formularin e subjekteve politike dhe formularin e kandidatëve. Në një numër të madh të vendvotimeve, kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, tha Elezi.

Gjatë mbledhjes, KQZ bëri të ditur se 9.049 zarfe me fletëvotime të ardhura nga jashtë kanë dalë të pavlefshme, ndërkohë që deri më tani janë miratuar 22.326 zarfe me vota.

Arsyet e refuzimit të zarfeve me vota nga jashtë, sipas KQZ-së, janë të ndryshme. Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; disa të tjera janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor) dhe në disa raste në zarfet që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente të pavlefshme.

Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit, qytetarët kanë votuar në 888 qendra votimi me 2,382 vendvotime.

KQZ tashmë ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve, sipas të cilave, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.41 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.43 për qind.

Në zgjedhje kanë marrë pjesë më shumë se 830 mijë persona me të drejtë vote.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë