Politike

KQZ miraton krijimin e një regjistri për autorët e krimeve seksuale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi këtë të mërkurë kërkesën për krijimin e një regjistri kombëtar për autorët e krimeve seksuale. Kërkesa në KQZ u bë nga komiteti përfaqësues i nismës i përbërë nga Iris Luarasi përfaqësuese e Qendrës “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”, Ines Leskaj përfaqësuese e Shoqatës “Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri” dhe Mirela Arqimandriti përfaqësuese e “Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim”.

Kërkesa e shoqërisë civile

Miratimi për fletën tip i hap rrugën procesit ligjor për mbledhjen e 20,000 firmave për krijimin e regjistrit kombëtar. Paralelisht, rreth 3 javë më parë 27 organizata të shoqërisë civile i kanë bërë një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për ndryshime në Kodin Penal që kanë lidhje me rritjen e masave ndëshkuese për autorët e krimeve seksuale, ndryshime në përkufizimin e përdhunimit, kriminalizimin e sjelljes seksuale pa dhënien e pëlqimit, realizimin e mbikqyrjes për autorët e krimeve seksuale, dërgimin e tyre në shërbime të specializuara rehabilitimi për dhunuesit, etj. bazuar në dy Konventa të rëndësishme të Këshillit të Evropës të ratifikuara nga Shqipëria (Konventa e Stambollit dhe Konventa Lanzarote).

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, ndryshimet e vazhdueshme të Kodit Penal nuk janë shoqëruar me plane dhe strategji ndërhyrje për të parandaluar të sjellje të tilla, si: dërgimi i autorëve në terapi rehabilitimi, apo mbikëqyrje të rregullt të ish të dënuarve për krimin e dhunës seksuale. Për mbikëqyrjen e autorëve të krimeve seksuale ka vetëm një rregullore të Ministrit të Brendshëm.

Aktualisht në Shqipëri ka 98 persona të cilët pasi janë dënuar nga gjykata për krime seksuale me të miturit, kanë përfunduar dënimin. Fatkeqësisht, asnjë prej tyre nuk është identifikuar nga drejtësia si pedofil dhe nuk është trajtuar me mjekime apo terapi gjatë dënimit apo pasi e ka kryer dënimin.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikon pedofilinë si një sëmundje psikike, e cila lidhet me tërheqjen seksuale ndaj të miturve nën moshën 14-vjeçare. Legjislacioni europian në disa vende si Britani e Madhe, Francë, Gjermani, Norvegji, Suedi, Finlandë, Danimarkë, etj. ka parashikuar si sanksion kastrimin kimik me anë të injeksionit ndaj pedofilëve. “Kastrimi kimik” konsiston në përdorimin e ilaçeve në mënyrë periodike, zakonisht në formën e një injeksioni, i cili shuan epshin seksual. “Kastrimi kimik” është një nga format më të civilizuara të trajtimit që është përdorur ndaj abuzuesve seksuale dhe është thjesht një lloj terapie hormonale që heq dëshirën seksuale të shkelësit.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë