Drejtësia

KPA shkarkon nga detyra kreun e KLP, Alfred Balla. Largohet nga sistemi i drejtësisë për 15 vite

Gazeta Si – Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të shkarkojë nga detyra dhe të kalojë sot në Vetting në shkallën e dytë kreun e KLP-së, Alfred Balla pas ankimit nga Komisioneri Publik.

Sipas KPA-së, Alfred Balla nuk duhet që të ushtrojë funksione publike për 15 vitet e ardhshme, përfshirë pozicionin e prokurorit, gjyqtarit, anëtarit të KLP, të KLGJ, apo të Inspektorit të lartë të Drejtësisë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të pranojë ankimin e bërë nga Komisioneri Publik kundër vendimit të KPK ndaj Ballës, i cili në vitin 2023 vendosi të ndërpresë pa një vendim përfundimtar procesin e Vettingut ndaj Ballës.

Alfred Balla

Sipas Komisionerit Publik, Vettingu ndaj Ballës duhej ndërprerë, por ai nuk duhet të ketë të drejtën të ushtrojë funksionet e prokurorit, gjyqtarit apo anëtarit të KLP e KLGJ në 15 vitet në vijim.

“Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si I tillë duhet ndryshuar. Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, inspektor i lartë i drejtësisë apo prokuror i përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare”, – thuhet në vendimin e Këshillit të Posaçëm të Apelimit.

Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë.

Alfred Balla u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në shkurt 2018 nga Kuvendi i Shqipërisë, si përfaqësues i shoqërisë civile dhe prej asaj kohe mbante postin e zv/kryetarit. Më 28 mars të vitit 2022 ai u zgjodh kryetar i këtij Këshilli, me një mandat 2 vjeçar.

Çështja ndaj Alfred Ballës nuk lidhej me detyrën e rëndësishme që ai mban në krye të qeverisë së prokurorisë, një mandat që edhe këtu i ka përfunduar prej 19 dhjetorit, ashtu si edhe një funksionareje tjetër, kreut të KLGJ Naureda Llagamit, por me precedentin e hapur nga shkalla e parë e Vettingut që e përfshiu në rivlerësimin e trefishtë për shkak të detyrës që kishte mbajtur si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë para 2017.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në qershor 2023 u shpreh pa një vendim përfundimtar për Alfred Ballën, pra me një vendim që nuk do të thotë as shkarkim dhe as konfirmim në detyrë për shkak se ai rezultoi të mos kishte pasur statusin e magjistratit.

Kleçka e çështjes Balla përfshinte një ndërprerje të marrëdhënies së punës e më tej një proces në gjykatë që sipas KPK do të thoshte humbje e statusit as nga Vettingu dhe as nga dorëheqja e tij, por nga ndërprerja e marrëdhënies së punës.

Por, Komisioneri publik e kundërshtoi shkallën e parë të Vetting-ut me kërkesën se ky organ duhet të shprehet me një vendim të qartë.

Sakaq, Balla drejton KLP, një post që e mban si përfaqësues i shoqërisë civile dhe së bashku me dy anëtarë të tjerë Tartar Bazaj dhe Nurihan Seiti e kanë përfunduar mandatin dhe duhet të ishin zëvendësuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë