Drejtësia

KPA rikthen në detyrë gjyqtarin që shpalli fajtor Saimir Tahirin

Gazeta Si - Kolegji i Posaçëm i Apelimit rikthen në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Posaçme, Ardit Mustafaj.

Me shumicë votash, Shkalla e Dytë e Vettingut vlerësoi se vendimi i KPK për largimin nga sistemi të gjyqtarit Mustafaj, i marsit 2020, duhej ndryshuar, pasi sipas KPA-së vendimi i shkarkimit ishte i padrejtë.

Mustafaj ka qenë kryesues i trupit gjykues të Shkallës së Parë, që fajësoi ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për “shpërdorim të detyrës”.

Po ashtu, Mustafa njihet edhe si gjyqtari i trupës që gjykoi Dritan Dajtin, vrasësin e 4 policëve në plazhin e Durrësit në vitin 2009.

Në vitin 2012, teksa ishte anëtar i Gjykatës për Krimet e Rënda, ai u kërcënua përmes një letre anonime, fakt për të cilin u mbajt në mbrojtje policore për disa vite në vijim.

Në shkallën e parë, komisionerët e Vettingut vërejtën probleme në pasuritë e tij, në lidhje me disa hua, dhurata nga prindërit e bashkëshortes dhe paqartësi në shitjen e një godinë në Sarandë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 5 mars 2020 shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Ardit Mustafaj, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë. Vendim i cili u rrëzua nga KPA-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë