Futboll

Koutinjo te Bajern Mynih, intrigat e fundit të merkatos verore

Ylli brazilian, Filipe Koutinjo, ka zgjedhur gjigantët gjermanë të Bajern Mynih si stacionin e radhës në karrierën e tij, pasi ka veshur më parë fanellat e Interit, Liverpulit dhe Barcelonës. Sulmuesi anësor do të kalojë në formë huazimi nga katalanasit, të cilët deri tani e konsideronin si një pedanë për shkëmbimin me brazilianin tjetër Nejmar, por gjërat kanë ndryshuar.

Koutinjo është zyrtarisht një lojtar i Bajern Mynih. Bavarezët kanë arritur akordin me Barcelonën dhe lojtarin për huazimin me të drejtë blerjeje. E njëjta taktikë siç ka ndodhur më parë me Hames Rodriguez, i cili kaloi te Bajerni në formë huazimi, por nuk u ble nga gjermanët. Braziliani do t’i bashkohet skuadrës së re të dielën. Ai e mori këtë vendim, pasi ishte lodhur duke pritur zhvillimet në aksin Barcelonë-Paris. Një lëvizje që lë të hapur skenarë të rinj sa i takon merkatos verore. Real Madrid mund të përfitojë në këtë situatë për Nejmarin, edhe pse Barcelona do të tentojë deri në fund, pavarësisht se tashmë nuk ka në dorë “armën” Koutinjo. Bajerni, që e nisi kampionatin me barazimin 2-2 ndaj Hertës në shtëpi, zgjidh problemin e sulmit, ku ka pasur deficite pas largimit të Roben, Riberi dhe Rodriguez.

Edin Xheko rinovon me Romën deri në 2022-shin. Gazeta Si, 17 gusht 2019

Merkatoja e verës është bërë edhe më intriguese në Itali, ku rinovimi i Edin Xhekos me Romën deri në vitin 2022 ka bërë gjithçka lëmsh. Interi priste sulmuesin boshnjak, i cili vendosi të qëndrojë në Romë, duke i habitur të gjithë me rinovimin. Për Mauro Ikardin tashmë kanë mbetur vetëm pista e Juventusit dhe Napolit, me bardhezinjtë në avantazh. Nëse argjentinasi kalon te kampionët e Italisë, atëherë Paulo Dibala duhet të bëjë gati valixhet për të shkuar në Francë, ku PSG-ja e pret. Milani ka të njëjtët objektiva, me në krye Korrean, ndërkohë që futbollisti i Kombëtares, Elseid Hysaj, nga më të përfolurit në merkato, duket se do të mbetet te Napoli.

Real Madrid, përveç synimeve për Nejmarin, do të bëjë edhe një sulm të fundit për francezin Pol Pogba, edhe pse te Mançester Junajtid e bëjnë fakt të kryer qëndrimin e tij. Trajneri Zinedin Zidan ka humbur për një muaj blerjen më të rëndësishme të merkatos, belgun Eden Hazard, për shkak dëmtimi, ndërkohë që sulmuesi Joviç nuk e ka bindur. Madrilenëve u duhet një lojtar me peshë në mesfushë dhe ata vazhdojnë të shpresojnë për Pogba.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë