Futboll

Kosovë spektakolare, fitore me përmbysje në Bullgari

Kosova argëton me lojën e saj dhe krijon një shpresë për rezultate të mëdha. Pas disa ndeshjeve, ku mungonte fati dhe ai goli final që të çon te fitorja, mbrëmja e kësaj të hënë ka sjellë thyerjen e këtij “miti” për Kosovën. Rashica, Zhegrova, Muriqi dhe të tjerët besuan deri në fund dhe ia dolën që të marrin një fitore për në kornizë me Bullgarinë në shifrat 2-3.  

Me këtë triumf Kosova ndez seriozisht shpresat e saj për një kualifikim historik që në debutim në finalet e Kampionatit Europian. Ai gol i parë që në startin e ndeshjes nga Rashica dhe dedikimi për Zenelin e dëmtuar në ndeshjen me Malin e Zi, është simboli i këtij ekipi. Merr vlera edhe më të mëdha ky triumf për mënyrën se si skuadra e Shallandes duroi edhe disavantazhin e vendasve, që brenda 30 minutash shënuan dy herë dhe menduan se mund ta kishin fituar këtë sfidë në shtëpinë e tyre.

Por nuk kishte mbaruar asgjë, pasi kishte dhe shumë minuta për t’u luajtur, ku do të vinte dhe reagimi i kosovarëve. Në fillim Vedat Muriqi barazoi në të 64-ën dhe më pas ai që vuri vulën ishte Rashani. I riu kosovar do të shënonte vetëm 2 minuta nga fundi dhe goli i tij mori një vlerë më të madhe, pasi pak minuta më parë Kosovës i ishte anuluar një gol për pozicion jashtë loje.

Me këtë fitore Kosova shkon në kuotën e 5 pikëve, me një fitore dhe dy barazime dhe shikon shumë afër dy kryesuesit, Anglinë dhe Çekinë, me të cilët ende nuk ka luajtur asnjë prej ndeshjeve.

FORMACIONET E TË DYJA EKIPEVE:

Bullgaria: Mihajlov, Popov, Bozhikov, Goranov, Nedialkov, Ivanov, Kostandinov, Nedelev, Despodov, Popov, Isa. Trajner: Krasimir Balakov.

Kosova: Muric, Vojvoda, Rrahmani, Aliti, Kololli, Halimi, Voca, Zhegrova, Celina, Rashica, Muriqi. Trajner: Bernard Shaland.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë