Kosova

Kosovë, policët e prekur nga Covid-19 pa përkrahje nga shteti. Terapia 1500 euro

Mesatarisht 1500 euro llogariten shpenzimet e kurimit për një polic në Kosovë.

Që nga fillimi i pandemisë COVID-19, Policia e Kosovës i është ekspozuar rrezikshmërisë së lartë për t’u prekur nga virusi COVID-19. Duke punuar me orar të stërzgjatur edhe prej 12 orësh, pjesëtarët e policisë vazhdojnë të mbajnë barrën e zbatimit të vendimit të qeverisë për respektimin e masave mbrojtëse ndaj koronavirusit, mirëpo mirënjohja që marrin nga shteti kur këta pjesëtarë preken me virusin COVID-19 është e zbehtë.

Mbi 1500 euro llogariten shpenzimet që një polic i prekur me koronavirus ka paguar terapinë-trajtimin për t’u shëruar nga ky virus. Ndërsa, ndihma nga shteti ka munguar ndonëse dihet se mesatarja e pagës llogaritet 400 euro për pjesëtarët e forcave të rendit, raporton Zëri.

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli, ka thënë për medien kosovare se pjesëtarët e policisë të prekur me COVID-19 janë përballë me vështirësi financiare për të paguar terapinë e domosdoshme për t’u shëruar nga ky virus vdekje prurës.

Tasholli po ashtu është një nga policët e prekur me COVID-19. Ai thotë se përveç problemeve shëndetësore, barrë ka qenë dhe ana financiare për të siguruar terapinë e rekomanduar nga mjekët.

“Njeriu kur është në pozitë të palakueshme e gjen dhe mundësinë apo zgjidhjen për sigurimin e mjeteve për shërim. Kam pasur vështirësi shumë sepse dhe gjatë më ka shkuar COVID-19 deri sa jam shëruar”, tha ai.

Tasholli ka treguar edhe çmimin e shpenzimeve që i ka kushtuar për shërimin e koronavirusit. “Mbi një mijë e 500 euro më kanë kushtuar shpenzimet për shërim. Fatmirësisht nuk kam pasur askënd në familje të prekur me koronavirus sepse vetëm unë kam qenë”, theksoi ai.

Tasholli shprehet se të gjitha shërbimet shëndetësore i ka paguar vet dhe nuk është ndihmuar asnjë cent nga qeveria. “Jo asnjë cent as nga shërbimet shëndetësore, as nga ministria e as edhe nga qeveria, asnjë cent në llogarinë time nuk dal për shërimin tim. Unë nuk e di procedurat si i ka shteti, çka do të bën nuk e di, por unë fola për vetveten. Dhe si përfaqësues i sindikatës, kjo ka munguar”, ka deklaruar Tasholli.

Për shpenzimet gjatë terapisë për shërimin e COVID-19, Tasholli ka treguar se ato ishin të njëpasnjëshme dhe të shtrenjta.

“Për çdo ditë është dashur që të blej terapinë sepse kam qenë në spital, për çdo ditë kam pasur shpenzime të njëpasnjëshme, kontrolla të ndryshme, incizime, pastaj barna të ndryshme”, tha ai.

Tasholli ka kritikuar qeverinë se Policia e Kosovës nuk ka pasur as përkrahjen më të vogël për shpenzime të shërimit. “Mbi një mijë ka kaluar numri i të infektuarve në radhët e policisë që nuk i është dhënë asnjë përkrahje, ndoshta ata që e kanë kaluar në shtëpi kanë mundur me pas shpenzime më të vogla, mirëpo përkrahje nuk ka pasur as për ata që kanë qenë të shtrirë në spitale”, ka thënë Tasholli.

Në Kosovë 11 pjesëtarë të policisë kanë humbur jetën nga koronavirusi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë