Kosova

Kosovë/Gastronomët kërkojnë zgjatjen e orarit të punës dhe faljen e gjobave për bizneset

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës vijon t'i drejtohet qeverisë për ndihmë.

Ajo i ka drejtuar qeverisë katër kërkesa.

Pas mbledhjes e cila është mbajtur të martën, Gastronomët kanë njoftuar të enjten, sot, për katër propozimet që ia kanë bërë Qeverisë, ku në mesin e tyre është zgjatja e orarit deri në orën 23:00 për funksionimin e bizneseve të gastronomisë.

Gjithashtu ata kërkojnë të bëhet heqja e kufizimit të lëvizjes së personave fizik në tërë territorin e Kosovës dhe të të bëhet falja e dënimeve të vendosura gjatë pandemisë ndaj bizneseve të gastronomisë.

Shoqata udhëzon  bizneset që janë pjesë të saj që, të mos i paguajnë dënimet gjatë pandemisë, deri në zbatimin e pikave të drejtuara qeverisë.

Shoqata sqaron se ky Vendim i Kuvendit të SHGK-së, vjen si rrjedhojë e ngjarjeve të fundit të cilat kanë të bëjnë me organizimin e tubimeve të fushatës parazgjedhore, të cilat nuk i kanë respektuar masat e vendosura nga vetë Qeveria, lidhur me distancën fizike, vendosjen e maskave, grumbullimin e njerëzve, kufizimin kohor, dhe të tjera.

“Përndryshe, kjo është në kundërshtim me një prej kategorive esenciale të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht, nenit 3 [Barazia para Ligjit]. Para ligjit dhe Kushtetutës, jemi të gjithë të barabartë. Andaj, nuk pranojmë standarde të dyfishta! Deri në zbatimin e këtyre Vendimeve, UDHËZOJMË bizneset e HORECA-së, të mos i paguajnë këto dënime.”- citon Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë